Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka arritur të kapë përfundimisht Gjykatën Kushtetuese, duke e shndërruar atë, sipas tij, në një seksion të Rilindjes. Në një intervistë për Syri.net, Meta u shpreh se Rama ka eliminuar çdo zë të pavarur në drejtësi, duke shkatërruar balancat kushtetuese dhe institucionale në vend.
Lideri i Partisë së Lirisë theksoi se nuk është i zhgënjyer nga refuzimi i kërkesës për shuarjen e masës së paraburgimit, pasi, sipas tij, nuk mund të ketë pritshmëri nga një drejtësi e kapur politikisht. Më tej, ai e cilësoi arrestimin e tij më 21 tetor 2024 si një rrëmbim kriminal i mirëplanifikuar, që sipas tij, ishte rezultati i një fushate njëvjeçare propagandistike të orkestruar nga SPAK dhe Edi Rama me qëllim eliminimin e tij si faktor politik në prag të zgjedhjeve.
Sakaq Meta ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kreu të SPAK, Altin Dumani, lidhur me arrestimin e tij dhe ecurinë e punës së institucionit gjatë tre viteve të fundit. Meta akuzoi Dumanin se po përpiqet të justifikojë mënyrën e arrestimit të tij dhe se, sipas tij, SPAK është kthyer në një instrument politik në duart e Edi Ramës.
-Z. Meta, përsëri GJKKO ka refuzuar kërkesën e avokatit tuaj, Z. Cakrani për shuarjen e masës së paraburgimit tuaj edhe pse u mbush një vit nga arrestimi juaj. A jeni i zhgënjyer?
Meta: Aspak. As kam patur ndonjë pritshmëri nga gjykatat vendase dhe as nuk mund të kem, pasi nëse do kishim gjykatës të pa kapur, asnjë gjykatës nuk mund të firmoste për arrestimin tim, pra rrëmbimin në 21 tetor 2024 bazuar mbi fletërrufenë e 3 prokurorëve të SPAK-ut. Ne duhet të ecim drejt Gjykatës së Strasburgut, pasi në një vend ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese detyrohen në mënyrën më absurde të ndërpresin mandatin plotësisht kushtetues të koleges së tyre, vetëm për të realizuar ëndrrën e Kryekleptokratit, pra për të zeruar çdo mendim pakice, nuk mund të presim as gjykim të rregullt, as të pavarur dhe as të drejtë.
Kur nuk ekziston siguria juridike për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese është iluzion, e më thjeshtë budallallëk të besosh te gjykatat e tjera. Aq më tepër, kjo nuk më lejohet mua që si President i Republikës kam luftuar aq shumë për të mbrojtur integritetin e Gjykatës Kushtetuese. Por pas 5 vitesh u arrit qëllimi i Kryekleptokratit për ta shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një seksion të mirëfilltë të “Rilindjes”, ku do mbizotërojë unanimiteti.
-Si e shikoni të ardhmen e çështjes tuaj tani pas një viti?
Meta: Unë e di shumë mirë pse jam këtu në këtë burgun e “vogël”, pasi ju të gjithë duhet të vazhdoi të jetoni me gënjeshtra, mashtrime dhe aktrime në burgun e madh. Rrëmbimi im kriminal u parapri nga një fushatë e përgjithshme frikësuese që në korrik 2023 e deri në 21 Tetor 2024 kur ndodhi rrëmbimi i mirëmenduar kriminal, që kishte qëllime shumë më të errëta se thjesht arrestimi im.
Po të bëni një kërkim për 15 muaj (nga korriku 2023), çdo ditë kishte shkrime të porositura me burime nga SPAK-u (Rama) se Meta do arrestohet sot e do arrestohet nesër, se erdhi letërporosi andej apo këtej nga çdo kontinent, se do arratiset në Hungari apo diku tjetër. Gjithçka synonte largimin tim nga vendi, sepse kështu do vetëfajësohesha dhe gjithë mashtrimet e investuara kundër meje prej 25 vitesh do bëheshin të vërteta.
Po kështu edhe Partia e Lirisë, që ka qenë një stres i madh për shumë faktorë malinj të brendshëm e të jashtëm, do i dorëzohej një sufllaqexhiu të bindur e të kapur. Por llogaritë e tyre nuk ecën siç besuan ata dhe grupi i SPAK-ut, siç u pagëzua me të drejtë në Partinë e Lirisë. Organizimi i shpejtë i Konventës historike të 27 Prillit 2024 dhe mbarëvajtja me sukses e saj i nervozoi dhe i çoi pashmangshmërisht te rrëmbimi im kriminal i 21 Tetorit si e vetmja rrugë për të paralizuar fuqinë e drejtimit të Partisë së Lirisë në zgjedhje, por edhe me shpresën për ta rimarrë drejtimin e sa me lojra të tjera. Po kështu, ata shpresuan se me provokime dhe patronazhistë këtu te 313 do mund të sajonin prova penale siç bënë me kolegun e tyre Z. Erion Veliaj në burgun e Durrësit.
Në pamundësi për të justifikuar gjithë mashtrimet dhe hamendësimet e tyre të frymëzuara nga Edi Rama në dosjen ku nuk ekziston asnjë provë apo fakt penal kundër meje dhe duke përshkallëzuar më tej shkeljen e të drejtave të mia në paraburgim, ata synojnë të ecin drejt një procesi inkuizitiv që s’ka asnjë lidhje me procesin e rregullt ligjor, e aq më tepër me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Por unë jam shumë besimplotë se ata do marrin përgjigjen e merituar në çdo seancë të gjykimit në themel kur unë do jem përballë tre prokurorëve që janë shkelës të provuar të ligjit. Mos harroni, tre prokurorët e SPAK-ut firmosën për arrestimin tim bazuar mbi një ligj që ishte shfuqizuar 4 vite më parë, që në 2020. Përse kjo “rastësi” apo “pakujdesi” nga tre prokurorë që presupozohet se janë elita për zbatimin e ligjit? Kjo ndodhi vetëm që t’i hapej rruga Narkopolicisë të bënte atë akt rrëmbimi publik me qëllim terrorizimin e opozitarëve dhe qytetarëve përpara zgjedhjeve.
–Z. Dumani në raportimin e fundit në Komisionin e Ligjeve u shpreh se arrestimi i juaj linte për të dëshiruar duke ja lënë përgjegjësinë policisë…
Meta: Të besosh në sinqeritetin e Z. Dumani është njësoj si të besosh se inceneratori i Tiranës ekziston. A nuk ishte prezent vetë Z. Dumani kur kolegu i tij në seancën e dëgjimit në 23 Tetor 2024, pikërisht Z. Kraja, deklaroi se arrestimi kishte qenë krejt i rregullt? A nuk ishte Z. Dumani i cili iu drejtua vetëm Policisë së Shtetit për të kryer arrestimin tim, krejt ndryshe nga vendimi i gjykatësit Erjon Çela, se ekzekutimi duhej të kryhej nga SPAK, BKH dhe Policia e Shtetit? Qëllimisht ai shmangu BKH për t’i lënë dorë të lirë Narkopolicisë të vepronte në atë mënyrë kriminale sipas dakordimit me Edi Ramën.
Nuk po bëj krahasim me arrestimin e Erion Veliajt disa muaj më pas, por po kaq i rregullt ishte vetëm një ditë para rrëmbimit tim, në 20 tetor 2024 arrestimi i ish-deputetit Çyrbja të PS. Dhe më tej pasi më bënë kallëzimin në SPAK për veprimet e paligjshme të rrëmbim-arrestimit nga policia, përse Z. Dumani ja kaloi çështjen Prokurorisë të Tiranës kur në fund të ditës policia abuzoi me një urdhërarrestimi të SPAK-ut dhe jo të Prokurorisë të Tiranës?
-Pavarësisht nga rasti i juaj, cili është vlerësimi juaj për këto tre vite të drejtimit të SPAK nga Z. Dumani?
Meta: Besoj se këtu pati përgjigje të sinqerta nga Z. Dumani që gjatë këtyre tre viteve ka rritje të korrupsionit.Por edhe po të mos e thoshte ai këtë, e thonë të gjitha raportet ndërkombëtare dhe megaskandalet që ulërasin çdo ditë.Si shpegohet që kemi më shumë arrestime, por edhe më shumë korrupsion njëkohësisht?Sepse kështu i intereson Edi Ramës. Përmes arrestimeve përpiqet të shmangë vëmendjen ndaj megaaferrave në rritje, ku përfituesi kryesor është vetë Edi Rama. Kam një pyetje për ju, se çfarë është më e rëndësishme për qytetarët, që të shohin ish-Ministrin Beqaj në paraburgim për SASPAK apo të ndalojë gjakderdhja financiare e sterilizimit?
Ramës nuk i intereson kjo e fundit se përfituesi kryesor është ai i aferës, ndaj u tregon shqiptarëve Beqajn në burg për të hequr përgjegjësinë nga vetja dhe vëmendjen nga afera që vazhdon. A është më e rëndësishme për shqiptarët të shohin Erion Veliaj në burg për llogari të Nesti Angonit apo të ishte edhe në arrest shtëpie por të gjykohej edhe për inceneratorin dhe pagesat për shërbimin që nuk ekziston të ndërpriteshin. Loja e statistikave, se ky tregues u rrit 10% e ai tjetri 12%, vetëm fsheh dështimin e SPAK në luftën kundër korrupsionit, i cili është i gjithëpërhapur dhe shpërthyes në nivelet më të larta.
A mund të ketë deklaratë më amnistuese për Ramën, Agaçin për aferën e inceneratorëve se sa deklarata publike e Dumanit se afera e inceneratorëve është krim “intelektual”? A ka gjë më banale e kriminale se sa të shpallësh fituese një kompani që u krijua 8 muaj më vonë siç është e zeza në të bardhë firma e Edi Ramës? Kemi më shumë korrupsion se nuk goditen procedurat e paligjshme në themel, se kudo del Rama.
-Ndërkohë ai deklaroi se nuk do të kandidojë për një mandat tjetër 9-vjeçar për veten e tij, por kërkoi që kjo mundësi t’u jepej kolegëve të tij. Cili është mendimi juaj?
Meta: Te kërkesa për përsëritje mandate të prokurorëve të SPAK-ut ai është konsistent, që nga dita e parë e marrjes së drejtimit të SPAK-ut dhe besoj se kjo ka qenë e mbetet kërkesë e gabuar pasi të gjithë ata që do kandidonin për SPAK e dinin se afati kushtetues e ligjor është 9 vjet, që më tepër që vetë SPAK është një strukturë e posaçme por edhe e përkohshme.Të thuash tani se po u bëhet padrejtësi se përse pas 9 vitesh në SPAK do kthehen përsëri në Prokurori është jo vetëm spekulim , por edhe fyerje për dhjetëra prokurorë që punojnë çdo ditë në kushte shumë më të vështira dhe disa prej tyre kanë rezultate shumë të prekshme edhe pse nuk kanë përkrahje mediatike (politike).
Po kështu tre vite janë të mjaftushme për të përzgjedhur 10 prokurorë të rinj me integritet dhe rezultate premtuese. Të zvarritësh hetime pafund për çështje flagrante si inceneratori i Tiranës, afera e dy “tigrave” të Bangladeshit në Vlorë, tuneli i Llogarasë, Eco-Parku, Porti i Durrësit, çështja McGonigal etj., nuk mund të shërbejë si justifikim për të kërkuar mandate të përjetshëm, përkundrazi. Kjo shërben si argument për t’i dhënë fund këtyre lojrave politike. Shikoni ngadalësinë apo paralizimin për hetimin e vjedhjes së fondeve të IPARD-it të BE.
Këto vjedhje dhe abuzime janë zbuluar prej dy vitesh nga OLAP dhe duhej që hetimet të ishin mbyllur e përgjegjësit të ishin para ligjit, jo vetëm për ndëshkim, por për të zhbllokuar pikësëpari 112 milion euro në vit për fermerët tanë nga BE.A ka interes më të madh publik se ky hetim për momentin? Mirë Qeveria e ka braktisur financimin e bujqësisë se e ka një nga rrugët e shpopullimit të vendit, por pse të humbasin fermerët tanë nga mosvperimi i SPAK-ut (Ramës) plot 112 milion euro çdo vit? Besoj e ndoqët lajmin e djeshëm në Greqi ku u arrestuan 37 persona për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian në bujqësi dhe u sekuestruan 22 milion euro./
“Dumani, instrument në duart e Ramës!”/ Meta: Gjykata Kushtetuese në seksion të ‘Rilindjes’
