Pas publikimit në media të raportit përfundimtar të ODIHR, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi para gazetarëve se ky raport fakton se më 11 maj u shkelën parimet themelore të zgjedhjeve.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha deklaroi se vëzhguesit e ODIHR faktuan pretendimet e opozitës se zgjedhjet parlamentare ishin farsë elektorale.
“Angazhimi i të gjitha resurseve të administratës, njëlloj si në partinë-shtet. U shuan linjat e ndarjes së partisë nga shteti, thotë raporti. Vetëm ky moment është i mjaftueshëm, ky element, për të gjithë ata që kanë kulturën elektorale minimale, për të kuptuar se zgjedhjet ishin një farsë. Në kushtet e partisë-shtet kurrë nuk mund të ketë zgjedhje të tjera përveçse farsë.”
Berisha citoi pjesë të raportit ku flitet për presionin mbi punonjësit e shtetit, vërejtje të cilat, sipas tij, faktojnë se nuk pati zgjedhje më 11 maj.
“Faktohet terrori mbi punonjësit e administratës për të votuar. Faktohen pra të gjitha mënyrat për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve për votën. Në raport, lexojeni një frazë, po të mos bënin këto, zgjedhjet do ishin më afër zgjedhjeve të lira. Pra, janë në Siberi krahasuar me distancën tani. Nuk janë kërkund.”
Sipas Berishës, tashmë që vëzhguesit ndërkombëtarë e thanë fjalën e tyre, u takon qytetarëve shqiptarë të ngrihen në protestë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Berisha solli në vëmendje se vetëm përpjekjet e opozitës dhe qytetarëve mund ta detyrojnë kryeministrin Edi Rama të largohet.
“Tani, qeverinë teknike nuk ta krijon kush po nuk e krijove vetë, po nuk e imponove vetë. Prandaj, në qoftë se shqiptarët duan të votojnë të lirë, të përgatitemi për betejën tonë, për protestën tonë, për votën e lirë. Qeveri teknike ne kërkojmë, por të jeni të sigurt, pa zërin tonë të fuqishëm në rrugë dhe në sheshet e këtij vendi, ajo nuk krijohet. Dhe ne do ngrihemi, dhe kjo nuk ka diskutim.”
/vizionplus.tv
