Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në reagimin e tij, Blushi thekson se raporti ndërkombëtar konfirmon qëndrimet e Partisë së Lirisë dhe të gjithë opozitës shqiptare, sipas të cilave zgjedhjet nuk ishin të zhvilluara në kushte të barabarta dhe të lira. Më tej Blushi shtoi se kryeministri Rama u damkos ndërkombëtarisht si armik i votës së lirë dhe i së ardhmes europiane të shqiptarëve.
“Vëzhguesit ndërkombëtarë konstatojnë qartë se procesi zgjedhor nuk i përmbushi standardet demokratike të përcaktuara në Kartën e Kopenhagenit, duke ekspozuar në mënyrë të hapur abuzimet dhe manipulimet e kryeministrit Edi Rama. Përmes përdorimit masiv të aseteve publike për qëllime elektorale, bashkëpunimit me elementë kriminalë dhe sistemit të paligjshëm të patronazhistëve, Rama jo vetëm që forcoi avantazhin e padrejtë të partisë në pushtet dhe fshiu çdo kufi mes shtetit e partisë, por u damkos ndërkombëtarisht si armik i votës së lirë dhe i së ardhmes europiane të shqiptarëve”, tha Blushi.
Pas raportit të OSBE, Blushi ‘godet’ Ramën: Armik i votës së lirë dhe i Europës së shqiptarëve
