Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka qenë kritik ndaj “Paketës së Maleve” të prezantuar ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se kjo nismë do të mbjellë armiqësi dhe vëllavrasje.
Berisha: Tani, për sa i përket paketës së maleve, ajo është një plaçkitje e madhe që po bëhet. Edi Rama me asgjë nuk mund të mbulojë armiqësinë e tij të egër ndaj veriut të Shqipërisë dhe zonave malore sepse në vitin 2012, ne miratuam ligjin në të cilin investimin në të gjithë zonat malore e përjashtonim për 8 vite nga taksat.
Por nuk autorizonim veten që të merrnim qoftë edhe një centimetër tokë nga dikush. Pra, ai që do bënte investimin, problemin do e zgjidhte me pronarët. Kështu që me këtë që po bën, vetëm po mbjell farën e armiqësive dhe vëllavrasjes. Dhe unë ftoj investitorët, mos të prekin tokën e tjetrit.
Berisha pranoi se duhet të ketë një plan dhe askush num mund të ndërtojë aty ku do.
Berisha: Sigurisht duhet të ketë plan dhe sigurisht askush nuk mund të ndërtojë kudo që do. Jo. Se duhet menduar perspektiva. Ato duhet të zhvillohen siç kanë qenë me stane guri. Kanë qenë të sistemuara. Kanë pasur ujin, kanë pasur rrethimin. I kanë pasur të gjitha. Kanë qenë komunitet. Pra, po ta marrësh kështu një fshat i vogël dhe i sistemuar. Kjo nuk do të thotë që të ndërtojnë kudo. Por kjo do të thotë që shteti të shpenzojë dhe të bëjë planin se ku do ndërtojnë./vizionplus.tv
