Kryeministri britanik Keir Starmer e ka përshkruar Ballkanin Perëndimor si “furrë prove” të Europës ndërsa hapi sot, 22 tetor, në Londër një seri bisedimesh me liderët e rajonit, ku fokusi kryesor do të jetë emigracioni i paligjshëm, shkruajnë mediat britanike.
Në samit po marrin pjesë liderët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Britania po kërkon të arrijë marrëveshje për masa të reja që të ulin numrin e emigrantëve që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme.
Diskutime për “qendrat e kthimit të emigrantëve”
Britania është në bisedime me disa vende për të vendosur qendra të ashtuquajtura kthimi, ku mund të dërgohen azilkërkuesit e refuzuar para se të deportohen.
Kosova ka shfaqur gatishmëri për marrëveshje, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama e ka mohuar kategorikisht. Edhe ai i Malit të Zi ka sugjeruar se vendi i tij nuk ka infrastruktura hekurudhore të mjaftueshme, por mund të ndryshojë mendim nëse investohet në to.
“Rajoni është quajtur kryqëzimi i Europës, por shpesh ka qenë edhe furra e provës së Europës, vendi ku siguria e kontinentit tonë vihet në provë”, ka deklaruar Starmer në fillim të takimit.
Sanksione të reja ndaj bandave kriminale të Ballkanit
Sot u shpallën edhe sanksione të reja britanike ndaj bandave dhe financuesve të krimit nga Ballkani, të cilët dyshohet se mbështesin trafikun e emigrantëve. Rrjeti i falsifikimit të pasaportave Krasniqi nga Kosova është përjashtuar nga sistemi financiar britanik.
Ndërkohë, ALPA Trading FZCO, që dyshohet se përpunon para për bandat e trafikut, është gjithashtu objekt sanksionesh.
Kërkesa për investime në infrastrukturë
Kryeministri Rama në Chatham House, parashtroi mundësinë që Britania e Madhe të ndërtojë hekurudha në Shqipëri, në mënyrë që të pranohet marrëveshja për një qendër kthimi. Starmer iu përgjigj me humor: Do ta pranonim padyshim, nëse investohen 10 miliardë euro për të ndërtuar hekurudhat!
Siguria dhe ndikimi rus në agjendë
Takimet do të përqendrohen gjithashtu tek siguria, emigracioni dhe rritja ekonomike. Liderët diskutojnë si të luftojnë ndikimin e Rusisë, të rrëzojnë korrupsionin dhe të adresojnë çështjet e përbashkëta mbi emigracionin.
“Ballkani Perëndimor ka qenë prej kohësh një rrugë kyçe për bandat kriminale të trafikut”, ka thënë kryeministri britanik. “Askush nuk dëshiron që këto banda të operojnë në territorin e tij, dhe të gjithë vuajmë pasojat e tyre”, ka theksuar ai.
Vitin e kaluar, rreth 22 mijë persona u trafikuan përmes rajonit, shifër alarmante që ngre shqetësimin mbi kontrollin e munguar për emigracionin e paligjshëm në Europë.
Mbështetje e vazhdueshme për Kosovën
Para samitit, Britania konfirmoi se do të vazhdojë të mbështesë misionin e KFOR-it në Kosovë për 3 vitet e ardhshme deri në dhjetor 2028, duke qenë kontribuues kryesor i forcës që nga viti 1999.
Takimi organizohet në kuadër të Procesit të Berlinit, një iniciativë e nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel në 2014, për të afruar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së me bllokun europian./tvklan.al
Ballkani, “furrë prove” e Europës: Çfarë po diskutohet në Londër
