Dosja e 14 shtatorit 1998, avokati Beqiri ‘fundos’ ish-kryeministrin: Padit Berishën dhe 9 të tjerë për..

Një tjetër dosje kundrejt ish-kryeministrit Sali Berisha ka përfunduar në SPAK. Kësaj radhe bëhet fjalë për organizimin e grushtit të shtetit me protagonist vetë Berishën më 14 shtator 1998 në Tiranë. Është avokati Idajet Beqiri që ka dorëzuar dosjen në SPAK më datë 15 tetor kundrejt ish-kryeministrit Berisha, Genc Pollos, Ridvan Bodes, Shaban Memisë, Pal Dajçit, Ekrem Spahiut, Frrok Gjinit, Dem Dollapit, Alfons Zenelit dhe Artur Bejzades. Në kallëzimin e avokatit Beqiri thuhet se kërkohet nisja e procedimit penal për këto akuza “Kryengritje e armatosur” dhe “Organizata kriminale”.
 
“Në 14 shtator 1998, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kryen një Kryengritje të armatosur dhe disa akte terroriste. Një akt kriminal për ata që e përgatitën dhe e realizuan, traumatizues për shoqërinë shqiptare, i dhimbshëm për të gjithë ne që e përjetuam, i turpshëm për institucionet e shtetit tonë që nuk ishin në gjendje ta parandalonin dhe, kur ndodhi, ta shtypnin me forcën e ligjit”, thuhet në kallëzim.
Më 14 shtator 1998 PD pushtoi me grupe të armatosura për disa orë Kryeministrinë, RTSH, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, ndërsa një granatë u hodh në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi. Ngjarjet erdhën si pasojë e vrasjes së Azem Hajdarit natën e 12 shtatorit 1998 dhe pas refuzimit të ultimatumit të Sali Berishës nga ana e kryeministrit Fatos Nano për të dhënë dorëheqjen.
 
Personat ndaj të cilëve është depozituar kallëzimi
Sali Berisha
Ridvan Bode
Genc Pollo
Shaban Memia
Pal Dajçi
Ekrem Spahiu
Frrok Gjini
Dem Dollapi
Alfons Zeneli
Artur Bejzade