Një tjetër dosje kundrejt ish-kryeministrit Sali Berisha ka përfunduar në SPAK. Kësaj radhe bëhet fjalë për organizimin e grushtit të shtetit me protagonist vetë Berishën më 14 shtator 1998 në Tiranë. Është avokati Idajet Beqiri që ka dorëzuar dosjen në SPAK më datë 15 tetor kundrejt ish-kryeministrit Berisha, Genc Pollos, Ridvan Bodes, Shaban Memisë, Pal Dajçit, Ekrem Spahiut, Frrok Gjinit, Dem Dollapit, Alfons Zenelit dhe Artur Bejzades. Në kallëzimin e avokatit Beqiri thuhet se kërkohet nisja e procedimit penal për këto akuza “Kryengritje e armatosur” dhe “Organizata kriminale”.
“Në 14 shtator 1998, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kryen një Kryengritje të armatosur dhe disa akte terroriste. Një akt kriminal për ata që e përgatitën dhe e realizuan, traumatizues për shoqërinë shqiptare, i dhimbshëm për të gjithë ne që e përjetuam, i turpshëm për institucionet e shtetit tonë që nuk ishin në gjendje ta parandalonin dhe, kur ndodhi, ta shtypnin me forcën e ligjit”, thuhet në kallëzim.
Më 14 shtator 1998 PD pushtoi me grupe të armatosura për disa orë Kryeministrinë, RTSH, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, ndërsa një granatë u hodh në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi. Ngjarjet erdhën si pasojë e vrasjes së Azem Hajdarit natën e 12 shtatorit 1998 dhe pas refuzimit të ultimatumit të Sali Berishës nga ana e kryeministrit Fatos Nano për të dhënë dorëheqjen.
Në kallëzim thuhet se grushti i shtetit nuk ishte një ngjarje spontane dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, por ishte planfikuar në mënyrë perfekte prej kohësh.
“Organizatorët e grushtit të shtetit kishin planifikuar në mënyrë ”perfekte” gjithçka që i shërbente realizimit të tij me sukses. Hetimet që u bënë për grushtin e shtetit zbuluan në Ministrinë e Rendit se gjatë zhvillimit të tij, të gjithë urdhrat që jepeshin nga Ministria e Rendit për njësitë e saj operative përfundonin në zyrat e Partisë Demokratike. Shumë kohë përpara fillimit të grushtit të shtetit, njerëzit e Partisë Demokratike në Ministrinë e Rendit e kishin lidhur qendrën operacionale të Ministrisë së Rendit me telefonat e selisë së Partisë Demokratike.
Të gjitha këto fakte tregojnë se grushti i shtetit i 14 shtatorit të vitit 1998 nuk ishte një ngjarje spontane, që e provokoi vrasja e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ai po përgatitej me kohë. Në këtë kuptim, grushti i shtetit i 14 shtatorit të vitit 1998 ishte një ngjarje e paralajmëruar. Atë nuk e kuptuan ose nuk deshën ta kuptojnë vetëm Qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit. Prandaj u treguan të paafta për ta frenuar paraprakisht dhe të papërgatitura për ta përballuar kur grushti i shtetit u zhvillua”, thuhet në kallëzim./ Shqiptarja.com
Personat ndaj të cilëve është depozituar kallëzimi
Sali Berisha
Ridvan Bode
Genc Pollo
Shaban Memia
Pal Dajçi
Ekrem Spahiu
Frrok Gjini
Dem Dollapi
Alfons Zeneli
Artur Bejzade
“Grushti i shtetit i Berishës më 1998” përfundon në SPAK, avokati Beqiri kallëzon ish-kryeministrin dhe 9 të tjerë
