Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Aksi”, në kuadër të kontrolleve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit të zhvilluar në aksin rrugor “Shëngjin-Kune”, forcat e rendit ndaluan pas ndjekjes një automjet tip “Benz”, me të cilin po lëviznin katër persona. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi lëndë narkotike të dyshuar kokainë e kanabis, si dhe një armë të ftohtë
U sekuestruan gjithashtu 60 fishekë për armë zjarri pistoletë. Si pasojë u arrestuan tre persona, Marsel Margjoni, Henri Ismaili dhe Pietro Gega.
Ndërkohë, u procedua penalisht një 17-vjeçar, që drejtonte automjetin pa leje drejtimi në momentin e ndalimit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar operacionin, si rezultat i të cilit u goditën dy raste të veprimtarive kriminale në këto fusha.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Shëngjin-Kune”, shërbimet e Policisë, pas ndjekjes për disa minuta, ndaluan automjetin tip “Benz”, me të cilin po qarkullonin katër shtetas.
Gjatë kontrollit në automjet u gjet dhe u sekuestrua lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe një mjet prerës (thikë).
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit P. G., me precedent penal në fushën e narkotikëve, u gjetën dhe u sekuestruan 60 fishekë për armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve procedurale:
U arrestuan në flagrancë shtetasit M. M., 19 vjeç, H. I., 18 vjeç, dhe P. G., 26 vjeç, të tre banues në Shëngjin.
U procedua penalisht 17-vjeçari, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi në momentin e ndalimit nga Policia.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
