Partitë për Kushtetuesen, Balla: GJK nuk është mbi sistemin. Tabaku: Po braktisni vendimet e saj

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar mazhorancën se me rrugën e forcës dhe mosrespektimin e vendimeve, po tenton të minojë thelbin e Gjykatës Kushtetuese. 
“Sa herë që priten vendime të rëndësishme nis presioni për ndryshime. Ky instrumentalizim dhe kjo politikë dystandardëshe është rreziku më i madh për drejtësinë kushtetuese dhe unë besoj që ne duhet të gjithë të kujdesemi që t’ia ruajmë ‘shtyllën kurrizore’ Gjykatës Kushtetuese,” deklaroi deputetja Tabaku. 
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke theksuar rolin e Komisionit të Venecias në ruajtjen e balancave institucionale, shtoi se Gjykata Kushtetuese nuk është mbi sistemin, por pjesë e saj. 
“Edhe Gjykata Kushtetuese duhet ta shohë veten si pjesë të sistemit, jo mbi sistemin. Ky Komision, në rastin e Shqipërisë, keni qenë edhe arkitektë të ekuilibrave kushtetues,” tha z. Balla. 
E pranishme ishte edhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila kërkoi që konfliktet politike të mos transferohen tek institucionet e tjera. 
“Konflikti politik nuk duhet të transferohet në çdo institucion tjetër të shtetit, sepse vetëm do ta minonte edhe besimin qytetar,” theksoi znj. Ballanca. 
Ajo që i bashkoi pjesëmarrësit në panel ishte rëndësia e Komisionit të Venecias në zhvillimin dhe balancimin e institucioneve shqiptare.