Stephen Ross, partner dhe drejtues i grupit të mashtrimeve civile në firmën Withers, thotë se “deepfake”-et janë arma më e fundit në garën teknologjike të mashtrimeve. Parandalimi dhe reagimi ndaj tyre kërkon një kombinim të zgjuar midis teknologjisë dhe protokolleve njerëzore.
Si masë parandaluese, përpiquni të kufizoni praninë tuaj mediatike dhe në internet duke shmangur publikimin e videove, regjistrimeve audio ose imazheve me rezolucion të lartë, dhe hiqni ato që tashmë ekzistojnë nga rrjetet sociale apo faqet e internetit. “Deepfake”-et kërkojnë material burimor, kështu që sa më pak materiale të ketë për ju, aq më e vështirë bëhet për mashtruesit.
Gjithashtu, është e rëndësishme që me familjarët dhe punonjësit përkatës të bini dakord për një dokument protokolli për transferimet me vlerë të lartë. Ai duhet të përfshijë mënyrën e verifikimit të identitetit, zinxhirin e komandës kur jepen udhëzime, si dhe situatat kur nuk duhet të veprohet sipas urdhrave, për shembull, në mes të natës. Duhet të përcaktojë gjithashtu kanalet e pranueshme të komunikimit dhe një periudhë pezullimi për transaksionet, për të lejuar verifikime shtesë.
Ky protokoll duhet të rishikohet rregullisht për t’u siguruar që është në përputhje me zhvillimet teknologjike. Si pjesë e tij, mund të vendosni një sistem verifikimi me disa hapa për transferimet mbi një shumë të caktuar. Kjo mund të përfshijë kombinime të ndryshme, si përdorimin e numrave të njohur të telefonit, adresave zyrtare të email-it, pyetjeve personale, fjalëkalimeve që ndryshohen periodikisht për video-thirrjet, apo përdorimin e platformave me enkriptim të plotë.
Duke qenë se kjo është një garë teknologjike armatimi, mund të merrni gjithashtu në konsideratë përdorimin e hyrjeve biometrike, mjeteve për “watermarking”, ose skanerëve që zbulojnë “deepfake”-et e videove apo autentifikuesve të zërit. Megjithatë, këto kanë kosto dhe efektiviteti i tyre duhet të rishikohet periodikisht.
Nëse mashtrimi ndodh, kontaktoni menjëherë ekipin e mashtrimeve në bankën tuaj dhe kërkoni ngrirjen e llogarisë dhe nisjen e një procesi rikthimi përmes sistemit SWIFT apo ekuivalentit të tij. Pastaj njoftoni familjarët, punonjësit dhe çdo platformë të përfshirë, para se të raportoni rastin në polici. Në momentet e panikut pas zbulimit të mashtrimit, është e vështirë të ruash qetësinë.
Shumë biznese kanë një plan për rikuperimin nga mashtrimet, i cili përcakton hap pas hapi çfarë duhet bërë, kë duhet kontaktuar dhe si. Një plan i tillë ndihmon që të gjithë të qëndrojnë të qetë, të bashkërenduar dhe të fokusuar në orët e para pas zbulimit të mashtrimit. Avokatët dhe ekspertët e sigurisë kibernetike mund të ndihmojnë në ndjekjen e fondeve dhe mashtruesve kur bëhet fjalë për shuma të mëdha, por parandalimi mbetet gjithmonë më i mirë se kurimi.
Si t’i shmangim mashtrimet elektronike?
