PS e PD përplasen për Reformën Zgjedhore, Komisioni i Venecias: Mos ndryshoni ligjet për çdo zgjedhje

Palët politike do të ulen sërish bashkë për të përmirësuar ligjet zgjedhore, por prapë garancitë i kërkojnë nga të huajt, Komisioni i Venecias, apo ODIHR. Në një tryezë për reformën zgjedhore, një gjyqtar i Komisionit të Venecias i kujtoi klasës politike se nuk është e shëndetshme që Kodi Zgjedhor të ndryshohet kaq shpesh.
“Nuk do të ishte një sport argëtues nëse rregullat e një ndeshjeje ndryshoheshin para çdo loje. Askush nuk do të kuptonte çfarë po ndodh dhe askush nuk do t’i besonte, veçanërisht nëse rregullat nuk do të vendoseshin nga disa burokratë të FIFA-s, por nga njëra prej ekipeve. Po kështu edhe në zgjedhje, stabiliteti i ligjit zgjedhor është një nga elementët kyç për të garantuar besimin në proceset zgjedhore”, tha Oliver Kask, Gjyqtar, Komisioni i Venecias
Ai që për socialistët udhëheq reformat zgjedhore, Damian Gjiknuri shprehu vullnetin për konsensus, por prapë nën hijen e ndërkombëtarëve,
“Venecia ka qene bashkudhëtar i përhershëm i reformës zgjedhore. Giani Buquicchio ka thënë qe Shqipëria ka qene klient i përhershëm. Unë e shoh me doza ironike. Fakti qe pas çdo reforme ti drejtohemi Venecias si pacient nuk vete shërohemi por kërkojmë mjek. Odihr të gatshëm të sjell ekspertë për të asistuar dialogun. Objektivi është Stabilitet zgjedhor dhe ligj zgjedhor para zgjedhjeve. Uroj që mos jemi më pacientë të pashërueshëm të Komisionit të Venecias”, u shpreh Gjiknuri.
Por shanset për dialog duken të vështira, kur opozita nuk kërkon vetëm ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, por edhe në Kushtetutë.
“Jemi kthyer në një lloj pacienti të Venecias, jo vetëm për zgjedhjet por edhe për çështjet e drejtësisë. Reforma e fundit konsensuale është ajo e 2012.  Sistemi Zgjedhor duhet të kthehet në një sistem diskutimi. Ky sistem duhet të ikë”, tha Oerd Bylykbashi.
KQZ që vuan pasojat e ndryshimeve ligjore në minutë të fundit, vuri theksin, tek koha.
“Mazhoranca dhe opozita duhet të dakordësohen sa më shpejt të jetë e mundur për ndryshimet. Nëse reforma zgjedhore do të vonojë të shtyhet në kalendat greke, 5-6 muaj para zgjedhjeve do të jemi në të njëjtën situatë: dikush do ti fitojë zgjedhjeve, pala tjetër do ti kontestojë”, theksoi Celibashi.
Përfaqësuesit e OSBE-ODIHR në tryezë bënë thirrje për konsensus, duke i kërkuar partisë në pushtet të mos injorojë opozitën nga reforma zgjedhore, pavarësisht numrave që kontrollon.