Shtyhet me një javë seanca paraprake ndaj Erion Veliajt, shkak bojkoti i avokatëve

Seanca paraprake për dosjen penale ndaj Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 16 të pandehurve të tjerë është shtyrë për në datën 28 tetor, ora 10:00.
Seanca pritej të zhvillohej këtë të martë, më 21 tetor, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku do të shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dërgimin e çështjes në gjyq.
Sipas raportimit të gazetares Lusi Përgjegji për RTSH, shtyrja erdhi pas një kërkese të paraqitur nga avokatët mbrojtës, të cilët kërkuan pezullimin e seancës për shkak të vendimit të Dhomës së Avokatisë për bojkotimin e proceseve gjyqësore.
Ky vendim është marrë në shenjë proteste pas arrestimit të avokatit në Elbasan Ulian Barjami, ngjarje që ka shkaktuar reagime në komunitetin ligjor.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Veliaj akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës.
Kujtojmë se më 2 tetori Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt.