Artan Hoxha nxjerr për herë të parë detajet “bombastike”: Ervis Martinaj u eliminua pas konfliktit me Edi Ramën,…

Rigels Seliman
Gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha është shprehur ditën e djeshme se grupi që ka eliminuar Ervis Martinajn i njohur si mbreti i lojërave të fatit, sot është shumë i fuqizuar dhe mjaft i rrezikshëm. Z. Hoxha theksoi se fundi i Ervis Martinajt erdhi kur u konfliktua me pushtetin, duke iu referuar kreut të qeverisë Edi Rama që më herët ka bërë dhe një koment se “i di dhe targën” Martinajt. Artan Hoxha deklaroi se kjo ndodhi për shkak të angazhimit të Martinajt në fushatë në mbështetje të opozitës dhe Rama i dërgoi një mesazh publikisht. “Kryeministri u përfshi vetë në atë ngjarje, nga të rrallat. Në aktivitet ai ka thënë se e dimë kush është drejtori i lojërave të fatit, ia dimë targën e makinës, ishte përfshirja në fushatë e Ervis Martinajt në mbështetje të opozitës dhe prandaj Rama e etiketoi”, tha Hoxha gjatë një interviste për “Euronews Albania”.
Po ashtu, gazetari Artan Hoxha u shpreh se autoritetet ligjzbatuese kanë prova por nuk guxojnë të flasin. Sipas gazetarit, kjo ndodh për shkak se ky grup është në pushtet dhe në momentin që do shkërmoqet, të tjera të dhëna do dalin në dritë. “Shikoni ngjarjet e fundit që po ndodhin në Shqipëri. E njëjta dorë që pasi ka bërë eliminimin e Ervis Martinajt, tani ka marrë një ngjitje të menjëhershme dhe prandaj sot është shumë aktive dhe e rrezikshme. Kemi një hierarki tjetër në botën e krimit të organizuar dhe po ashtu një hierarki tjetër në botën e atyre që quhen vrasës që janë rritur nga ajo kohë, ata që patën sukses në atë ngjarje.
Asnjë nga ajo skuadër nuk është arrestuar. Jeton Lami, oficeri, ishte i vetmi që mund të ndihmonte. Në momentin që ai doli, historia ka ngelur aty. Vrasja e Martinajt ka ndodhur në kohën që s’ishte SKY ECC. Hetimi që kemi ne, duke nënvlerësuar pjesën e brendshme, në rastin konkret nuk kemi të dhëna të sakta. Jo se s’kanë të dhëna, por një pjesë nuk duan të flasin. Aleanca që realizoi vrasjen është shumë e fortë dhe në pushtet në të gjitha. S’mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse s’ke me këta lart. Fundi i Ervis Martinajt erdhi kur u konfliktua me pushtetin sepse me rivalët ka qenë vazhdimisht në betejë. Nuk ishte strukturë fisnore, as shoqërore, ishte mercenar.”-u shpreh Hoxha.
Ervis Martinaj i vajti Ramës tek shtëpia në Surrel
Kujtojmë se Hoxha është shprehur disa kohë më parë se Ervis Martinaj e “rrethoi” Edi Ramën në Surrel, duke blerë dy vila pranë banesës së kryeministrit dhe madje shtoi se ishte bërë gati të blinte vilën e tretë. Hoxha deklaroi se Martinaj ishte kthyer në shqetësim për kryeministrin, ndërkohë u shpreh se aq shumë e kishte kapur euforia “mbretin e basteve” sa kishte harruar se kryeministri është “balena në oqean”. “Kur Martinaj doli nga qarkullimi, ai ishte bërë një armik publik sepse kishte prishur rregullat. Kishte bërë shumë kundërshtarë, që ishin dhe armiq ndër vete, të bënin aleancë. Ishte bërë problematik për pushtetin. Qeveria nuk kishte çfarë i bënte më Ervis Martinajt. Martinaj mori guximin dhe i vajti kryeministri mu të shtëpia.
Dhe ne e dimë sa trim është kryeministri jonë. E bleu shtëpinë ne Surrel, bleu dy vila dhe ishte gati të merrte të tretën… Ai vendosi familjen aty. Ai që ka betonuar atë shtëpinë e Edi Ramës, e kam pyetur çfarë betoni është. E pyes, ore ti e ke bërë? Se dëgjonte Berishën që thoshte sarajet e sulltanit që i ka bërë Carapuli. Çfarë Carapuli tha ai, atë e kam bërë unë, lekët mi ka dhënë filani, kishte edhe biznesmenë të tjerë. I thashë, ore çfarë strukture është ajo? Më tha, është si depo uji, pa dritare, ka vetëm pjesën sipër, me xham dhe derën poshtë. Është beton special. Të njëjtën cilësi betoni e ka vetëm Kisha Ortodokse në qendër të Tiranës. Boja që ajo ka, i është hedhur që në beton. E përmenda si detaj për të thënë që Vis Martinaj, edhe pse duket si bunker i paprekshëm, sarajet e kryeministrit, Vis Martinaj i vajti mu atje.
Garda e Republikës, bënte shumë kujdes, sepse lëvizte kryeministri me tre makinat e eskortës, lëvizte edhe Visi me tre makina të blinduara që shkonte në shtëpi. Ajo rruga, duke qenë e ngushtë dhe me kthesa po të përplaseshin në ndonjë cep, njëri kalonte, tjetrit duhet të rrinte në cep. Visi u bë shumë shqetësim për kryeministrin, sepse i erdhi të dera e shtëpisë. Por, Martinajn e kapi euforia dhe nuk e mendoi që një kryeministër është balena në oqean dhe jo një peshk në oqean. Martinaj ishte shumë egoist, e donte shkëlqimin, është personazh atipik në botën e krimit të organizuar.
Ai ishte çdo natë në lokalet më të njohura të Tiranës. Pra, dallimi me të tjerët, është që zgjodhi rrugën si John Gotti, që ekspozohej. Ai e shijonte ekspozimin. Edhe kur i ndodhi ajo që i ndodhi, ai lëvizte me tek person. Këtë besim ia sillte korruptimi i agjencive të zbatimit të ligjit. Por, kryeministri korrupton më shumë se ai… Jo më kot të përmenda, që iu vra djali i xhaxhait, u tentua miku i ngushtë dhe shteti nuk reagonte. Shteti mbylli sytë dhe e la përballë kundërshtarëve. Kjo gjë ka ndodhur vetëm me Haklajt në Tropojë”, tha Hoxha.