Apeli i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliaj për të shpallur të pavlefshme veprimet hetimore paraprake të kryera nga SPAK. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e datës 1 shtator të Shkallës së Parë. Më 18 gusht, mbrojtësit e kryebashkiakut të Tiranës, me një material 77 faqesh, i kërkuan GJKKO-së shpalljen e hetimeve si të pavlefshme, duke renditur shkeljet ligjore. Në kërkesë argumentohej se SPAK tejkaloi afatet hetimore, dhe se Prokurori që kreu hetimet, Ols Dado ishte emëruar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu si arsye për të shpallur të pavlefshme hetimet, renditej edhe fakti se kallëzimi është bërë nga një person anonim, dhe nuk është bërë asnjë verifikim për identifikimin e tij.
Pjesë e listës së gjatë të argumenteve renditej edhe shmangia e afateve hetimore përmes regjistrimit të procedimit penal pa emër, sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate apo dhe leximi i korrespondencave private në mungesë të çdo baze e autorizimi ligjor. Veliaj pretendon se nuk i është dhënë e drejta për mbrojtje efektive, pasi i është refuzuar koha e nevojshme për njohjen e akteve. Në procesin hetimor, sipas tij, janë përdorur ekspert të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 20.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 240 akti, datë 14.10.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimi i shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore” dhe vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, me datë 20.10.2025.”, njoftoi dje gjykata.
Ndërkohë, Veliaj, i cili ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit, po vijon betejën edhe në Kushtetuese kundër vendimi të marrë nga Këshilli i Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Gjykata Kushtetuese do të shprehet më 31 tetor për “fatin” e Erion Veliajt. Avokati Endrit Sefa u shpreh se nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon dekretin e Begajt, atëherë Veliaj mbetet kryetar bashkie në burg, dhe nga qelia do të shkarkojë të gjithë nënkryetarët e Ramës. Nga ana tjetër, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj theksoi se ky është një moment delikat, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendosë edhe të ardhmen për 60-të bashkitë e tjera.
Hetimet
Kujtojmë që Gjykata e Lartë rrëzoi më 2 tetor rekursin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë. Sipas njoftimit të publikuar në Gjykatën e Lartë, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Albana Boksi në cilësinë e relatores dhe dy gjyqtarët Medi Bici e Sokol Binaj, vendosi mospranimin e rekursit te paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj, kundër vendimit nr. 130 të 9 qershorit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimit e Organizuar, që ka lënë në fuqi arrestin e caktuar në Shkallën e Parë. Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK përfundoi me 22 korrik hetimet ndaj, Erion Veliajt i hetuar për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie e shpërdorim detyre, ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa e gjashtë biznesmenëve të proceduar si dhe ndaj personave të tjerë të dyshuar se janë përfshirë në këto afera. Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse. Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Kërkoi të shpalleshin të pavlefshme veprimet hetimore të SPAK, Apeli i GJKKO rrëzon Erion Veliajn dhe e lë në qeli,…
