Nga Blerina Cene
Arrestimi i avokatit Ulian Barjami në sallën e gjyqit pasi paralajmëroi prokurorin se do ta kallëzonte penalisht, ka shkaktuar bojkot total të gjyqeve deri në përfundim të kësaj jave.
Për avokatin Ledio Braho prangosja e avokatit në sallën e gjyqit është tërësisht në shkelje të ligjit.
“Kallëzimi penal është akt procedural i parashikuar në kodin e procedurës penale, nuk është akt kanosës. Nëse ti i thua dikujt se do të të bëj kallëzim penal, ose edhe nuk i thua fare dhe bën kallëzim s’ka asgjë për kanosje, kërcenim, apo element tjetër të ndonjë vepre penale. Kështu që duket shumë e tepruar, shumë flagrante. Nuk mundet që gjyqtarja apo gjyqtari ta nxjerrë nga salla sepse ai po bën debat në lidhje me provat, sepse kjo është detyra e mbrojtësit. Nëse ne do të konstatojmë se ka falsifikim provash dhe do të heshtim, këtu jemi në shkelje të profesionit tonë”, tha avokati Ledio Braho.
Për ish- prokurorin, tashmë avokat, Ervin Karanxha, situata është pasojë e reformës në drejtësi.
“Një avokat është në krye të detyrës, ai do të bëjë oponencën e tij, do bëjë kundërshtimet e provave kur ka pretendime për falsifikim pse të mos bëjë kallëzim penal. Edhe në ngjarjen e fundit të gjyqtarit Astrit Kalaja ne vumë re që organet e sistemit gjyqësor nuk folën për zgjatjen e gjyqeve kaq shumë, duhen marrë masat që qytetarëve shqiptarë t’u jepet drejtësi. Ktu vjen një person për pronat ne nuk mund t’i themi është dënuar Ilir Beqaj apo Erion Veliaj. Ai qyetetari do pronën. Po, jo se u dënua Iliri”, u shpreh Ervin Karanxha, i sh- prokuror, avokat.
Risku i këtij arrestimi është shndërrimi në një republikë prokurorësh arsyeton Braho.
“Në këtë gjykim, të paktën sa del në audio duket që Gjykata nuk luan rolin e arbitrit, por shndërrohet në avokate të prokurorit. Nëse nuk do të merren masa nga Dhoma e Avokatisë apo nga ne avokatët, patjetër që situata mund të percipitojë dhe të shndërrohemi vërtetë në një republikë prokurorësh. Nuk mundet të shkojmë e të shërbejmë thjesht si makiazh apo garniturë për procesin e rregullt ligjor në një kohë kur roli jonë është aktiv në një proces gjyqësor”, deklaroi Braho.
Në audion e procesverbalit dëgjohet avokati Ulian Barjami që i thotë përfaqësuesit të akuzës, Gjergj Ceka se do të merret personalisht me të pasi ka dyshime që ka falsifikuar shkresat të cilat i ka sjellë në gjyq si prova.
/vizionplus.tv
