Kredi për shtëpi? Bankat bëhen më të rrepta, qytetarët përballen me refuzime rekord

Bankat tregtare kanë hezituar t’i japin kredi qytetarëve gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, hezitimi i bankave u pasqyrua në standarde, kushte e terma kreditimi të shtrënguara, si edhe në numër më të lartë refuzimesh për kredi, sidomos në ato për blerjen e banesave.
Kufizimet e vendosura në korrik të këtij viti nga Banka e Shqipërisë mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së disbursuar dhe mbi raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave në kreditë e reja për pasuritë e paluajtshme, u raportuan po ashtu nga bankat si faktorë që vepruan në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit. Për të blerë shtëpinë e parë, bankat tregtare nuk do të jepnin kredi më shumë se 85% të vlerës së banesës. Ndërkohë, për shtëpitë e dyta, bankat tregtare nuk do të jepnin kredi më shumë se 80% të çmimit të banesës. Kësti duhet të jetë 40% e të ardhurave të kredimarrësit për monedhën lekë dhe 35% për monedhën në valutë të huaj.
Rreziku i perceptuar ndaj kolateralit, aftësia paguese e kredimarrësve dhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave ndikuan gjithashtu në shtrëngimin e standardeve.
Për shkak të të ardhurave të disponueshme, historikut të punësimit dhe mungesës së kolateralit, bankat kanë refuzuar më shumë kredi. Megjithatë, edhe kërkesa e qytetarëve për kredi ishte në rënie, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit.
Faktorët që sollën rënien e kërkesës për kredi sipas gjykimit të bankave ishin nevojat më të ulëta në financimin për blerjen e banesave, zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, përdorimi i burimeve alternative të financimit dhe kufizimet rregullatore që hynë në fuqi në korrik 2025.
Në tremujorin e fundit të vitit, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë më e ulët në kreditë për blerjen e banesave dhe më e lartë në kreditë konsumatore, me qëllim blerjen e mallrave dhe shërbimeve për konsum vetjak.