“Një hap para BE-së”, prezantohet “identiteti digjital”, Rama: Në dispozicion të qytetarëve në fillim të 2026-ës

Në ambientet e Piramidës në Tiranë u prezantua sot projekti “Identiteti Digjital”, një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në drejtim të modernizimit teknologjik të jetës sociale dhe ekonomike.
Kryeministri Edi Rama theksoi se ky sistem do të jetë në dispozicion të qytetarëve në fillim të vitit të ardhshëm, duke e cilësuar si një mjet që do të lehtësojë shërbimet, do të rrisë sigurinë dhe transparencën në transaksione. Shqipëria, sipas tij, pritet të jetë një hap përpara vendeve të Bashkimit Europian në këtë drejtim, duke e vendosur veten si një lider rajonal në fushën e inovacionit dhe teknologjisë digjitale.
Rama: Do të jetë në dispozicion të publikut në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që BE po ashtu po përgatitet për identitetin digjital dhe objektivi i shpallur i BE është që në vitin 2027 qytetarët e BE-së të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një vit më parë dhe e theksoj këtë jo për të afirmuar ndonjë përparësi tonën, por për të rikujtuar edhe një here se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon është një përparësi e jashtëzakonshme që unë e quaj një bekim të kësaj kohe.

Përmes teknologjisë digjitale dhe falë inteigjencës artificiale, vendet mund të imagjinojnë të kapërcejnë epoka që mund t’i kishin të pamundura për t’i kapërcyer. Ne jemi bërë një vend lider në rajon për sa i përket shërbimeve përmes inovacionit. Identiteti digjital është një instument i domosdoshëm për të realizuar planin tonë të kalimit nga paraja cash në transaksione digjitale. Kjo do të thotë më tepër siguri për konsumatorët, më tepër transaprencë dhe shumë më tepër të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit.