Ekonomia e dytë më e madhe në botë shënoi një ngadalësim të dukshëm gjatë tremujorit të tretë të vitit, duke u rritur me 4.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kundrejt 5.2% në tremujorin e dytë. Ritmi më i dobët i zgjerimit për vitin 2025 vjen në një moment kur Pekini përballet me tensione tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe me një krizë të zgjatur në tregun e pasurive të paluajtshme, që po rëndon mbi investimet dhe besimin e konsumatorëve.Autoritetet kineze kanë vendosur një objektiv rritjeje rreth 5% për vitin 2025, por shifrat e fundit e vënë në pikëpyetje realizimin e tij. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit më të lartë të Partisë Komuniste po zhvillojnë në Pekin mbledhjen për përcaktimin e planit të ri pesëvjeçar (2026–2030), i cili pritet të përqendrohet tek nxitja e kërkesës së brendshme dhe zhvillimi i teknologjive vendase përballë kufizimeve amerikane.Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet fikse, që përfshijnë ndërtimet, infrastrukturën dhe prodhimin, ranë me 0.5% në nëntëmujorin e parë, një kontraktim i rrallë që nuk ishte parë që prej pandemisë së vitit 2020. Investimet në pasuri të paluajtshme u tkurrën me 13.9% deri në fund të shtatorit, pas një rënieje 12.9% në muajt e mëparshëm, ndërsa shpenzimet për infrastrukturë dhe prodhim industrial po ngadalësohen ndjeshëm.Sipas të dhënave zyrtare, nëse përjashtohet sektori i pasurive të paluajtshme, investimet fikse për nëntëmujorin janë rritur me vetëm 3%, më pak se 4.2% që ishte në gusht. Investimet e sektorit privat jashtë pasurive të paluajtshme janë ngadalësuar gjithashtu, duke reflektuar mungesën e besimit në perspektivën e rritjes dhe në politikat e qeverisë.Konsumi, një tjetër shtyllë e rëndësishme e rritjes, mbeti i dobët. Shitjet me pakicë u rritën me 3% në shtator, në përputhje me pritshmëritë, por më pak se 3.4% në gusht. Shtysa e mëparshme nga programet e subvencionimit të mallrave shtëpiake është zbehur ndjeshëm: shitjet e pajisjeve elektrike u rritën vetëm 3.3% në shtator, kundrejt një rritjeje prej mbi 25% gjatë nëntëmujorit.Të ardhurat e disponueshme për banorët në zonat urbane u rritën me 4.5%, ndërsa për banorët në zonat rurale me 6%, pas përshtatjes me inflacionin. Papunësia në qytete ra lehtë në 5.2%, por treguesit e përgjithshëm mbeten të brishtë.Megjithëse prodhimi industrial u rrit 6.5% në shtator, duke tejkaluar pritshmëritë, presionet deflacioniste vazhdojnë të rëndojnë ekonominë. Indeksi bazë i çmimeve (pa ushqime dhe energji) shënoi rritjen më të shpejtë që nga shkurti 2024, por inflacioni total ra me 0.3%, nën pritshmëritë e tregut.Banka Qendrore e Kinës mbajti të pandryshuara normat bazë të interesit për të gjashtin muaj radhazi, me normën njëvjeçare në 3% dhe atë pesëvjeçare në 3.5%, duke sinjalizuar kujdes përballë dobësisë së kërkesës së brendshme.Ndërsa Pekini përpiqet të zhvendosë modelin ekonomik drejt konsumit të brendshëm dhe teknologjive vendase, ekonomistët theksojnë se “ekonomia e vjetër”: ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe eksportet, do të mbeten për një kohë të gjatë shtylla kryesore e rritjes.Kështu, ndërsa udhëheqësit e Kinës hartojnë prioritetet për pesëvjeçarin e ardhshëm, ata përballen me një sfidë të dyfishtë: të ruajnë stabilitetin në sektorët tradicionalë që ende mbajnë peshën e ekonomisë dhe njëkohësisht të nxisin kërkesën e brendshme përmes inovacionit dhe politikave që rikthejnë besimin në treg. / FT, CNBCKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ekonomia e Kinës ngadalësohet me ritmin më të ulët gjatë 2025
