Berisha akuza Dumanit dhe Gjokës, kreu i PD mbron avokatin që u arrestua në Elbasan

Ish-kryeministri Sali Berisha kreu detyrimin për tu paraqitur në SPAK dy herë në muaj siç ia dikton masa e sigurisë dhe nga ky institucion sulmoi sërish kryeprokurorin Altin Dumani dhe gjykatësen Irena Gjoka.
“Çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm, është nul sepse është marrë nga një person që nuk mund të ishte gjykatës. Altin Troplinit, avokatit të McGonigal, të krimeve kushtetuese dhe armikut të betuar të pluralizmit, të skllavit të pasurive të tij të paligjshme, apartamenteve etj. Ky është mesazhi”, tha Berisha.
Nëse po ndikon duke sulmuar ashpër organet e drejtësisë, Berisha u përgjigjet:  Jo përkundrazi, po iu bëj atyre një nder. Arrestojnë avokatin në Elbasan, sepse guxoi t’i thotë prokurorit do të bëj padi penale. Çfarë fyerje dhe çfarë kërcënimi është ky. Kur një njeri në sallën e gjyqit që mbronte një klient i thotë që po shpif dhe ky bandit me Prodën që është anëtar i bandës, thërret avokatin dhe e arreston të nesërmen. Të arrestosh avokatin në këtë mënyrë, ky është terrori mbi avokatët që të mbyllin gojën në sallën e gjyqit. Çfarë drejtësie është kjo”, tha kreu i PD.

Lideri i demokratëve, akuzohet për “korrupsion pasiv” duke ndikuar në nxjerrjen e akteve nënligjore në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Aktet konsistonin në privatizimin e ish-klubit sportiv, Partizani, mbi trojet e të cilit janë ndërtuar 17 pallate. Dhëndri i tij, i bashkëpandehur akuzohet edhe për pastrim parash me dy biznesmenët, Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe noteren, Andia Pustina.