“Fjalët që marrin frymë” ishte aktivitet letrar, që u zhvillua këto ditë tetori me të rinjtë në Shkodër. Në ambientet e bibliotekës “Marin Barleti” u zhvillua aktiviteti letrar i organizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), rajoni Shkodër, në bashkëpunim edhe me gjimnazin “Shejnaze Juka”.
Në këtë konkurs letrar, që u zhvillua në datë 16 tetor, COD shprehet se të rinjtë pjesëmarrës prezantuan krijimet e tyre origjinale në formë poezish dhe skicash letrare, të interpretuara në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht), duke dëshmuar talent, pasion për letërsinë dhe aftësi të vyera gjuhësore. “Temat e trajtuara pasqyruan botën shpirtërore të rinisë, nga identiteti dhe shpresa, te sfidat personale dhe fuqia shëruese e fjalës. Në përfundim të aktivitetit, u ndanë çmime për vendet e para, si dhe çmime inkurajuese për krijimtari dhe origjinalitet”, thuhet nga Qendra për Hapje dhe Dialog rreth këtij aktiviteti letrar. Çdo pjesëmarrës u vlerësua me certifikatë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin e treguar.
Ky aktivitet që u zhvillua në bibliotekën “Marin Barleti” në qytetin e Shkodrës është në vijim dhe të tjera aktiviteteve në këtë qytet. Veprimtarinë e saj biblioteka “Marin Barleti” e mbështet edhe në lidhjet e vazhdueshme që ka me një rrjet të tërë bibliotekash, që veprojnë në Shkodër, ku mund të veçojmë bibliotekën e universitetit “Luigj Gurakuqi”, atë të Muzeut Historik, bibliotekën “Gjergj Fishta”, etj.
“Fjalët që marrin frymë”, një aktivitet letrar me të rinjtë në Shkodër
