Avokati dhe juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar situatën politike në vend dhe jovetëm. Në një intervistë të fortë dhe pa doreza, z. Romeo Kara shpërthen kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar për bashkëpunim me qarqe antishqiptare dhe kërkon ndjekjen e tij penale për krime lufte. Kara e cilëson Partinë Demokratike në kolaps dhe thotë se askush nuk është më i gatshëm të sakrifikohet për “lojën politike të Berishës”. Sipas tij, shqiptarët dhanë një mesazh të qartë në protestën në mbështetje të UÇK-së dhe kundër padrejtësive të Gjykatës së Hagës. Po ashtu, juristi thekson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e ligjshme, ndërsa proceset aktuale gjyqësore janë të ndikuara politikisht. Ai akuzon Berishën se në të kaluarën e ka quajtur UÇK-në “grup terrorist” dhe ka bashkëpunuar me regjimin e Millosheviçit. Më tej Kara shprehet se Berisha po luan me kartën e destabilitetit për mbijetesë politike. Ai parashikon se drejtësia dhe dështimet elektorale do ta largojnë ish-kryeministrin nga kreu i PD-së përpara vitit 2029. Në këtë intervistë për “Abc News”, Kara nuk kursen kritikat as ndaj kandidatëve të opozitës që, sipas tij, bëhen “paterica” të Berishës. Sipas juristit, koha e Sali Berishës ka përfunduar dhe PD-ja duhet të çlirohet nga pengmarrja politike që ai përfaqëson.
-Avokat, po e nis me ty bisedën me një pyetje të drejtpërdrejtë: Çfarë mesazhi dhanë shqiptarët ditën e djeshme në protestën që shkoi sigurisht në mbështetje të UÇK-së, Hashim Thaçit, liderëve të tjerë të UÇK-së dhe kundër gjykatës së Hagës?
Mesazhi është i qartë, ky që po e shpreh vetë, por dhe me perceptim besoj të plotë, që në lidhje me atë luftë, ata burra që ishin djem në atë kohë, kanë luftuar në të drejtën e tyre, në të drejtën e Zotit, për lirinë e vendit të tyre, për t’u çliruar nga një robëri dhe nga një shtypje sistematike mbi 100-vjeçare, të detyruar nga një represion i pashembullt sidomos për Europën e kohëve moderne. Ka qenë mjeti i fundit dhe i mbijetesës së tyre dhe familjes së tyre, edhe të asaj popullsie e cila pësoi një genocid të mirëfilltë. Pra, mbi 1 milion shqiptarë u zhvendosën brenda pak ditësh. Mënyra se si po trajtohen ata në këto momente, për ne, e ka kaluar këtë sensin e drejtësisë. Pra, është e padrejtë. Është zhvilluar nëpërmjet një presioni deri diku, edhe për herë të parë që do të merret nesër si shembull. Kanë shkelur në shtigje juridike të pashkelura më parë, të reja. Por ajo që ne themi, ne kemi kuptuar, se kjo nuk është më një gjykatë e Kosovës, e cila po vepron vetëm me një motiv të pastër ligjor. Ngritja, pavarësisht se si kanë depërtuar, ngritja e kësaj gjykate ka qenë e ndikuar nga ana e motivit dhe lë shumë për të dëshiruar. Ne po shohim që ata, si ligj, nuk e kanë pasur të përcaktuar që të gjykojnë organizata edhe luftën e popullit shqiptar. Mënyra e gjykimit tregon tendencën për t’u etiketuar kjo luftë si një luftë kriminale. Kjo është e padrejtë. Duke u përballur të gjithë drejtuesit e UÇK-së, deri diku po përbaltin edhe vetë karakterin e këtij populli, sikur ky popull nuk e meritoka të luftojë për drejtësi, duke barazuar në mënyrë të padrejtë okupatorin, atë që ka bërë agresorin me viktimën. Prandaj, në këto momente, duket sikur viktima është kthyer në rolin e agresorit. Unë mund ta them me gojën plotë që qarqet serbo-ruse kanë bërë punën e tyre. Kjo gjykatë u ngrit në mënyrë të çuditshme me presion ndërkombëtar. A u treguan dritëshkurtër politikanët kosovarë apo jo, unë nuk e di. Thelbi është që do të gjykonin mbi bazën e Kushtetutës të Kosovës, ligjeve të Kosovës edhe ligjeve ndërkombëtare. Por janë disa ligje që nuk e kapin kohën kohore të kësaj gjykate, që flitet nga viti ’98 deri në fund të vitit 2000. Ju thoni me të drejtë që ky dhe ne themi nuk ka krime që nuk janë parashikuar në ligj. Mbi çfarë ligji do gjykohet? Kanë përdorur dhe ligjet e luftës. Themi ne, konventën e Gjenevës, protokolli që ka ajo konventë. Kanë marrë shembull nga tribunali mbi Jugosllavinë, tribunali mbi Ruandën. Ky është tribunali i tretë, por në fakt nuk mund të krahasohet agresori Millosheviçi me Thaçin. Kështu që po ta krahasojmë, po ta shohim më mbrapa edhe më juridikisht, besoj se do flasim.
-Por megjithatë, avokat, mitingu madhështor është komentuara edhe nga kreu i PD, Sali Berisha. Ky i fundit thotë që unë nuk besoj se protesta është mënyra më e duhur për t’iu kundërvënë gjykatave. Ndërkohë, nga ana tjetër, është ky që shkon me njerëz nga mbrapa, dhe bën akuza nga më të rëndat si për prokurorët ashtu edhe gjykatësit.
Jo, akuzat i bën ai se ka gjetur këta prokurorë që nuk e padisin atë, ta kallëzojnë penalisht, t’i japin proces për kërcënim që i bën ky zotëria. Domethënë edhe për ofendim. Me atë kërcënimin meriton ca vite burg ai. Ka gjetur këta, mirë e bën. Jam i bindur që po të kisha qenë aty, patjetër që me akuzën e parë, sidomos e dyta, tregon që s’është më rastësia. E para, një lapsus emocional. Ta shohim mirë Berisha dhe ata që shkojnë pas Berishës: A ka ligj apo s’ka ligj? Domethënë, a ka njerëz që kanë bindjen e plotë që ligji funksionon? Kjo është bindja që them unë kur zbatohet ligji. Tani këtu s’bëhet fjalë për një gjykatë normale. Po t’i bëjmë një analizë se si është formuar kjo gjykatë, me një presion nga ndërkombëtarët, me materialin iniciues që vajti në Këshillin e Europës, por nëpërmjet Dick Marty-t që deklaroi në fund pastaj atë që deklaroi. Të shohim dhe pastaj pjesën e shërbimeve sekrete si do shprehen. Mënyra se si njerëzit po ballafaqohen me akuza që janë dyshime. Të thuash ti, ky personi e ka burgosur këtë rob lufte këtu, por nuk e ruajti kur pati bombardim, këto janë qesharake. Këta nuk kanë vajtur në tokën serbe, nuk kanë pushtuar tokë serbe, nuk kanë marrë pasuritë e popullit serb, s’kanë bërë genocid në Serbi, nuk kanë vrarë serbë, s’kanë përdhunuar serbë. Përkundrazi, në të gjitha të drejtat që të jep Zoti dhe ligjet kombëtare, ndërkombëtare, këta kanë dalë zot vendit të tyre dhe kanë qenë në luftë.
-Pse ky reagimi i Berishës tani?
Nëse këta nuk duan t’i shohin shqiptarët të çohen për dinjitet, se kjo ishte luftë për dinjitet. Herën e parë ne na shpëtuan fytyrën. Do na çlironte vetëm NATO, ne të paktën kishim ata që na shpëtuan fytyrën. Tani këta njerëz që na kanë dhënë dinjitet, ne u lodhëm pastaj me qeverisjen e tyre. Por kur i pamë atje në burg, zemra na thotë, jo more, se këta janë njerëzit tanë, janë vëllezërit tanë dhe nuk e meritojnë këta të shkojnë për këtë gjë atje. Ajo gjykatë ka disa probleme edhe në lidhje me pjesën e kompetencave materiale, në mënyrën se si po punon atje. S’ka me çfarë ligji do t’i gjykojnë. Me ligjin e Jugosllavisë? Me çfarë ligji? Se thonë do ta bëjnë me ligjin e Kosovës. Ky ligj vazhdon shumë vite mbrapa, nuk ka qenë në atë kohë. Pra, ka shumë paqartësi.
–Ju keni shumë të drejtë. Por pse Berisha tani?…
RK: Unë kam memorien më të fortë. Ti mund të kesh qenë i ri në atë kohë. UÇK-në zotëria e ka quajtur grup terrorist në atë kohë. Kur vajtën në Rambuje, i tha mos e nënshkruani kushtetutën e pushtimit. Aty bënë një gol serbët. E nënshkruajtën këta me Albright-in, me këshillë e me të tjerët. Dhe historia vijoi pozitive për shqiptarët nga Rambujeja, se ndodhi Reçaku përpara. Aty u mbyll kapaku i kësaj pune. Ai grupi që ky përkrahte (FARKU), një pjesë shumë e vogël kaloi në luftime. Pjesa tjetër bënte xhiro dhe vinte dhe demonstronte për llogaritë e këtij këtu. Edhe ky thoshte: E marr qeverinë sa herë dua me çunat e Laçit dhe Mamurrasit. Për ata e kishte fjalën që vinin. Thotë Fatos Klosi, kapardiseshin këtu nëpër bulevard. E treta, atë embargon (tani po flasim për krahun tjetër), atë embargon që thotë e theva për Kosovën, e çoi në Mal të Zi te krushku vet. Kë ka atje? Bullatoviçin. Ka një lidhje me Bullatoviçët, e ke dhe në Ëikipedia. E çoi në Mal të Zi, dhe Mali i Zi nuk ka lidhje me Kosovën siç mendon ti që do shkojë. Po furnizonte Kosovën ky me karburante. Çfarë ka thënë Bullatoviçi është që duhet të ishte ky për krime lufte atje. Se me atë karburant e me çfarë ka çuar ky, janë vrarë njerëz.
-Po thua që duhet të ishte Berisha për krime lufte në Gjykatën e Hagës?
100%. Po të pyesësh ish-ambasadorin tonë në OKB, Pllumbullën, dëgjon Gj. Xhevairen, se si ky gënjente personalitetet e botës atje që interesoheshin për këtë punë. Pra, janë më të thella. Megjithatë, ky nuk di të përfitojë as vetë si politikan. Duke qenë këtu ka një sfidë. Ky ka Ramën që luan me ne. Bëje lojën deri në fund. As vetë nuk përfiton. Thotë: Dakord, unë dal edhe guxoj. Unë dal, s’dal për ju atje, dal për ata djem që janë atje. Por zotëria atë që s’e bën vetë, që s’e organizon vetë, nuk e do për asnjë. Po ti dilte, po ta dëshironte protesta, kishte të drejtë ky. Tani që del kështu dhe është e sigurtë që bota do ta dëgjojë këtë zë, se shqiptarët s’do ta lënë me kaq. Unë kam bindje që ky nuk është një proces i rregullt, nuk është një proces normal, rutinë, që ne jemi mësuar ta shohim. Tani po shohim që po shkon shumë gjatë. Ku po shkojnë tani? Këta po tentojnë të përjetësohen aty me një proces e po i mbajnë peng ata atje.
-Ju thoni që Berisha e ka cilësuar UÇK-në si një organizatë terroriste. Por dikush nga ana tjetër, avokat, thoshte që Berisha nuk e ka mbështetur UÇK-në dhe aq më pak protestën e djeshme. Peng i antishqiptarëve dhe nuk del dot më që andej. Çfarë e bën Berishën të tillë?
Shiko, besoj që politika është edhe ajo që thuhet dhe ajo që s’thuhet, por që bëhet dhe nuk thuhet. Besoj që të dy këta, dhe Berisha dhe Rama, duan të luajnë me kartat racionaliste. Momentet që ju merren këmbët, këta [luajnë]. Me çfarë luan Berisha jashtë? Me destabilitetin, kur ka dashur të luajë nëpër Ballkan me shqiptarët, ia kanë vënë kufirin te Thanës. Edhe ata zotërinjtë që ia kanë dosjet në dorë, i thonë: Ti s’trazosh më ujërat në Ballkan. Ai luan me destabilitetin këtu.
-Po kush ia ka dosjet në dorë Berishës dhe çfarë dosje?
Unë di të them këtë, për shembull, në qoftë se po përshkruaj veten time dhe atë: “i pashantazhueshëm, s’ka ku ta kapin” për të gjithë gjynahet që ka. Ky i ’97-ës që na bëri 60 miliardë dollarë dëme e 3.000 e ca të vrarë, ky është shpëtimtar i kombit? Çfarë i dha ky kombit dhe çfarë i mori, çfarë i shkaktoi? Ti nuk je në terezi, nuk je njeri i tillë, je vetëm tersi i Pojanit, ku shkel bën dëme. Ramën nuk e shoh në pozita të tilla. Në qoftë se ka ngelur nacionalizmi ynë këtu tani, dhe me këtë s’jam dakord. E luajta nacionalizmin ditën që janë keq. Kjo është instinktive për t’i thënë botës: “Shiko se unë kam ndikim, që kjo popullsia shqiptare këtu dhe mund të bëj ndonjë gjë”. Do ndahen ujërat shpejt, ata shqiptarë që janë për lirimin e atyre, do të jenë për atë. Domethënë, nëse ka pasur ndonjë mesazh të dyfishtë, unë nuk po e paragjykoj. Për momentin them që ishte një protestë që vlejti. Shqiptarët u bashkuan, erdhën nga Kosova këtu, dikush erdhi në këmbë, u bashkuan bashkë. Nuk kishte gjë më të bukur që të shihje Pjerin Ndreun krah për krah me Bujar Leskajn. E them seriozisht.
-Por duket se kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet bashkiake për Tiranën, Florion Binaj, nuk e ka bërë një gjë të tillë…
Tani bëhemi seriozë. Të kalojmë të mos na humbë ora e natës. Kandidati nga familja e tij ka dalë. Ai bën gabim që mendon që do përfitojë në këtë mënyrë. Nuk mund të bëhet njeri patericë e Berishës.
-Binaj ndryshon shumë nga Leskaj, sepse Binaj e quan veten të pavarur, ndërsa Leskaj është pjesë e Partisë Demokratike…
Po sa është ora? S’paska kaluar 12. Dëgjo, të jesh i pavarur edhe të thuash pikërisht atë që i intereson Berishës, të dil, thuaj: “Unë distancohem nga Berisha”. Pikërisht ky i duhet Berishës: një i pavarur. Kur të humbë, thotë: “E kam unë kusurin, se unë e deklarova, u distancova. Ky është rezultati im, jo i Berishës”. Kush ka ardhur? Tani ky Berisha ka përgjegjësi për PD-në. Mos merr të pavarur ky. Ky do ta sjellë PD-në sa më shpejt në pushtet. Një nga rrugët është kjo, se unë e di që ai do fitore në tavolinë. Për atë [kandidat], jo nuk vjen [fitorja]. Për një tjetër mund të vijë, por ti do ta çosh PD-në. Merre Tiranën dhe ke të sigurtë se javë më pas do kesh zgjedhje përgjithshme. Po e more Tiranën. Po nuk e merr, dhe jo që s’do ketë javë më pas për të shkuar për të marrë pushtetin. E di, PD-ja në pushtet mezi po e pret. Po do iki vetë ai [Berisha]. S’do e arrijë dot më. S’do e mbrijë dot më vitin 2029 në krye të PD-së. E ke të sigurtë dhe këtë që po të them. Këtij i ngeli dopjoja në dorë tani me këto zgjedhje: Të hyjë, të mos hyjë. Të hyjë, do humbë me sy hapur siç ka humbur gjithë kohën. Me këtë vrull që ka Rama, prapë do ta mundë atë, se ai është i papërgatitur. Nuk e tregon që në pamje të parë nuk fiton. Atëherë çfarë bën? Nxjerr në rol prapë Binaj.
-Pse thoni që s’do jetë Berisha në krye të PD-së deri në vitin 2029?
Po humbi, por do veprojë drejtësia mbi të. Edhe sikur mos veproi drejtësia, ata të PD-së thonë: Ky humbi tani. Në 2025-ën në maj s’mbajti përgjegjësi, nuk e zbatoi statutin. Humbi për Tiranën. Bile e ka gjetur shpartalluar fare. S’ka asnjë kandidat. Ikën njerëzit si djalli nga temjani nga kandidimi. Dikur kacafyteshin me 11 intriga. Tani s’del një njeri nga ata deputetët që mund të ketë atje të thotë që unë lë mandatin. Nuk sakrifikon njeri më për lojën e Berishës. Pse ty, unë, thotë ai, mezi i kam marrë këto vota, kam siguruar vendin, për të marrë përsipër një gjë që nuk bëhet. Pra, ka një frymë që nuk është kundër tij. Si themi ne, erën e ka kundër. Nuk e ka pro kursit të tij në politikë. Ka mbaruar koha e tij. Koha nuk punon për Berishën. Ai sa më shumë rri atje, mban peng. Kjo është pengmarrja edhe në planin ndërkombëtar. Ti do luash me kartën nacionaliste? Kush të lejon? Pse janë injorantë të tjerët apo nuk kanë integritet si një pjesë e shqiptarëve që janë mësuar me sundimin dhe nuk janë mësuar të përballen? Ata jashtë ta japin mesazhin prerë. E dallojnë pa e nxjerrë fjalën ti, që ti ke këtë qëllim. Thonë: Zotëri i dashur, për ne je papranueshëm. E fitoi pushtetin në shtator të vitit ’98, po me rastin e vrasjes së Azem Hajdarit. Pse iku, dorëzoi institucionet? Mjaftoi një telefonatë nga Shtetet e Bashkuara. Nuk e di, një telefonatë, edhe zotëria u tërhoq, kaq. Pra, trimin e maleve këtu mjafton një telefonatë për ta. Dhe besoj kështu do vazhdojë.
Romeo Kara shpërthen ndaj Sali Berishës dhe kërkon të ndiqet penalisht për krime lufte, ja si ish-kryeministri…
