Sot (e diel), forcat ajrore izraelite goditën Rafahun në jug të Gazës, pas një përplasjeje mes ushtarëve izraelitë dhe militantëve të Hamasit që dolën nga tunelet dhe hapën zjarr. Kjo shënon shkeljen më serioze të armëpushimit njëjavor në rajon.
Zyrtarisht, as Hamasi dhe as ushtria izraelite nuk kanë komentuar, ndërsa përplasjet po vazhdojnë. Sipas Zyrës së Medias në Gaza, Izraeli ka shkelur armëpushimin 48 herë dhe ka vrarë 38 palestinezë që nga fillimi i tij dhjetë ditë më parë.
Izraeli, nga ana tjetër, akuzon Hamasin për vonesa në kthimin e trupave të pengjeve të vrarë, duke pretenduar se grupi po “teston” kufijtë e marrëveshjes. Të shtunën, Hamasi ktheu dy arkivole me trupat e një izraeliti dhe një shtetasi tajlandez.
Ndërkohë, tensionet politike janë rritur në Izrael, ku ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, kërkoi rifillimin e luftës me “forcë maksimale”.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se çdo sulm i Hamasit ndaj civilëve palestinezë do të shkelte rëndë marrëveshjen e armëpushimit. Hamasi mohoi akuzat dhe kritikoi mbylljen e pikës kufitare në Rafah, që pengon përdorimin e pajisjeve të rënda për gjetjen e trupave nën rrënoja.
Izraeli thotë se do ta mbajë të mbyllur kufirin Rafah “deri në një njoftim të dytë”, nëse Hamasi nuk i kthen të gjitha trupat e pengjeve të vrarë. Deri tani, janë kthyer vetëm 12 nga 28.
/vizionplus.tv

Leave a Reply