Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka lënë të hapur mundësinë që vendi i tij të pajiset me raketa me rreze të gjatë Tomahawk nga Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se presidenti rus, Vladimir Putin, “është i frikësuar nga një skenar i tillë”.
Në një intervistë ekskluzive, Zelenskyy foli për takimin dyorësh me presidentin amerikan Donald Trump, duke theksuar se çështja e raketave Tomahawk ishte një nga pikat kryesore të diskutimit.
“Është pozitive që Presidenti Trump nuk tha ‘jo’, por për momentin nuk tha as ‘po’,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se ekziston ende shpresë për një vendim të favorshëm nga Uashingtoni.
Presidenti ukrainas nënvizoi se furnizimi me raketat Tomahawk do të kishte ndikim të madh në luftën kundër Rusisë.“Mendoj se Putini ka frikë që Shtetet e Bashkuara do të na japin Tomahawk. Dhe mendoj se ai ka vërtet frikë që ne do t’i përdorim ato,” tha Zelenskyy.
Raketat Tomahawk kanë një rreze shumë më të gjatë sesa çdo sistem tjetër armësh në arsenalin ukrainas dhe do t’i jepnin Ukrainës një avantazh të ndjeshëm strategjik.
Megjithëse Trump nuk e përjashtoi mundësinë, ai nuk u shfaq entuziast për këtë ide, sidomos pasi pritet të takohet së shpejti me presidentin rus Vladimir Putin në Hungari. Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Putinin vetëm një ditë para takimit me Zelenskyy.
“SHBA nuk dëshiron përshkallëzim”
Pas takimit me Trump, Zelenskyy u tha gazetarëve:“Sigurisht që folëm për raketat me rreze të gjatë. Por nuk dua të bëj deklarata për këtë.”Ai shtoi: “Nuk flasim për këtë sepse… Shtetet e Bashkuara nuk e duan këtë përshkallëzim.”
Pavarësisht pasigurisë, Zelenskyy shpreh optimizëm. Vetë ideja që Ukraina mund të marrë Tomahaëk ka gjeneruar shqetësim në Moskë, duke ushtruar presion psikologjik mbi Kremlinin.
A do të vendosin SHBA për t’i dhënë Ukrainës këtë armë të fuqishme, mbetet ende për t’u parë. Por presidenti ukrainas vazhdon të balancojë me kujdes kërkesat e vendit të tij me shqetësimet diplomatike ndërkombëtare.
/vizionplus.tv

Leave a Reply