“15 ditë prilli” në teatrin “Migjeni”, një satirë e 15 ditëve nga historia jonë me 12 aktorë që sjellin 50 personazhe

Nga Julia Vrapi
Shfaqja teatrore “15 ditë prilli” do të shfaqet për herë të parë në skenën e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores së njohur Anisa Markarian, kjo shfaqje teatrore vjen në skenë me regji nga Driada Dervishi. Një rrëfim tronditës e po aq parodizues për 15 ditët e fundit para rënies së komunizmit. “Një satirë e 15 ditëve nga historia jonë me 12 aktorë që sjellin 50 personazhe”, thuhet nga teatri “Migjeni”, që gjatë këtyre ditëve ka bërë me dije që shfaqja teatrore do të jetë për herë të parë në skenën e tij në datën 2 nëntor për publikun. Shfaqa teatrore “15 ditë prilli” është një produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, që shënoi premierën në këtë teatër në mars të këtij viti. Regjisorja Dervishi ka shprehur se ishte një sfidë e veçantë dramatizimi i romanit të autores Anisa Markarian.
Ajo ka treguar se “15 ditë prilli” erdhi pas një bashkëpunimi të ngushtë me autoren e romanit dhe me dëshirën e madhe për të sjellë një pjesës të historisë shqiptare, një pjesë e cila vjen në 15 ditët e fundit të rënies së sistemit. “Shfaqja gërsheton bashkë sa gjininë dramatike aq dhe atë groteske, duke kaluar shpeshherë edhe në parodizime”, ka thënë Dervishi më parë. Në aktivitetin e saj me teatrin, Driada Dervishi fillon punë në vitin 2004 në teatrin profesionist “Aleksandër Moisiu” të qyteti të Durrësit, ku ka realizuar vepra të ndryshme ndër vite, por nuk kanë munguar dhe bashkëpunimet me teatro të tjerë. Në skenën e teatrit ka sjellë një sërë shfaqjesh teatrore, që janë dhënë në skenën e Durrësit, Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit, por nuk ka munguar edhe në festivale teatri. Në vijim të aktivitetit të saj me teatrin si regjisore Driada Dervishi këtë vit solli në skenë dhe premierën “15 ditë prilli” bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores së njohur Anisa Markarian, shfaqje që ka vijuar në disa skena.
Aktorët në role
Në role të shfaqjes teatrore janë një kastë e njohur aktorësh si Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Sanie Hoti, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj, Jaho Guma. Kompozitore Rona Castrioti, kostumografia Desantila Lika, skenografia Beqo Nanaj, koreografia Valentina Myteveli, kameraman Enton Lazaj. Ngjarjet tregojnë 15 ditët e festimit të ditëlindjes së ish udhëheqësit, që zhvillohet gjatë një periudhe dyjavore, duke përshkruar ngjarje të ndryshme që ndodhin brenda kësaj periudhe. Pas skenës së Durrësit, Tiranës dhe në teatrin “Bylis” të qytetit të Fierit, kjo shfaqje teatrore vjen për herë të parë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Shfaqja teatrore “15 ditë prilli”, që do të jetë dhe në skenën e teatrit “Migjeni” është në vijim dhe të tjera shfaqjeve teatrore këtë sezon artistik për publikun. Pak ditë më parë në skenën e këtij teatri u shfaq një premierë teatrore.