Tregjet financiare globale tronditen nga frika për kreditë e këqija në SHBA

Tregjet financiare globale u përfshinë nga paniku të premten, pasi shqetësimet për kreditë e këqija në Shtetet e Bashkuara u përhapën me shpejtësi në bursat europiane dhe aziatike. Aksionet e bankave ranë ndjeshëm në të dy anët e Atlantikut, duke nxitur frikën për një valë të re pasigurish në sistemin bankar.Indeksi FTSE 100 ra sot me ritmin më të fortë që prej prillit, i tërhequr poshtë nga valët e pasigurive që po vijnë nga sektori bankar amerikan. Rënia e aksioneve të bankave rajonale në SHBA ndezi shitje masive në tregjet globale, duke goditur veçanërisht Londrën, ku shqetësimet u përforcuan nga deklaratat e Bankës së Anglisë. Strategët e ING shtuan se luhatjet në yield-et e bonove janë të justifikuara dhe pritet të zbuten pas buxhetit të nëntorit, ndërsa tregjet tashmë parashikojnë një ulje të parë të normës së interesit deri në shkurtin e ardhshëm.Në SHBA, publikimi i humbjeve nga bankat rajonale Zions dhe Western Alliance ndezi alarmin për praktikat e dobëta të kreditimit. Ato raportuan kredi problematike në portofolin tregtar, duke përforcuar ndjesinë e pasigurisë që prej falimentimit të dy kompanive të lidhura me industrinë e automjeteve më herët gjatë vitit.Në tregtinë para hapjes së bursës të premten, JP Morgan ishte me 1,5% humbje, Citigroup 1,9% dhe Bank of America 2,9% humbje. Indeksi amerikan SPDR S&P Regional Banking ETF (KRE) ra mbi 6% në sesionin e kaluar, ndërsa vetë Zions dhe Western Alliance humbën përkatësisht mbi 13% dhe 10%.Goditja përfshin EuropënEfekti domino u ndje menjëherë në Europë, ku indeksi Stoxx Europe 600 Banks ra me rreth 3%. Bankat e mëdha europiane si Deutsche Bank, Barclays dhe Sabadell pësuan goditje të thella, kjo e fundit pësoi pothuajse 9% rënie. Edhe Deutsche Bank ra me 6,9%, ndërsa Barclays 5,4%.Në tregun më të gjerë, Stoxx 600 ra me 1,5% në mesditë në Londër, me të gjithë sektorët në territor negativ. Indekset kombëtare gjithashtu shënuan rënie: FTSE 100 ra me 1,3%, CAC 40 me 0,8%, ndërsa DAX dhe FTSE MIB humbën mbi 2%.Sipas analistit Russ Mould të AJ Bell, investitorët janë tronditur nga një seri problemesh të përsëritura në sektorin bankar amerikan. “Ka një reagim instinktiv, edhe pse nuk ka prova të drejtpërdrejta për probleme në bankat britanike apo europiane, tregjet po ulin ekspozimin në sektor, për çdo rast”, tha ai.Edhe ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet, kërkoi “vigjilencë dhe kujdes” në lidhje me cilësinë e kredisë, por theksoi se nuk sheh “rrezik për një krizë të madhe në SHBA për momentin”. Ai paralajmëroi megjithatë për kombinimin e tarifave, deficitit buxhetor dhe politikave të emigracionit që po e çojnë ekonominë amerikane drejt një faze “stagflacioni”.Përveç bankave, edhe sektori i mbrojtjes u prek rëndë. Indeksi Stoxx Europe Aerospace & Defense ra mbi 3,4%, me Rheinmetall, Hensoldt dhe Renk që pësuan nga 6% deri në 7% rënie.Ky zhvillim vjen në një moment kur presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin pritet të takohen në Hungari për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë, një lajm që shtoi pasigurinë në tregje.Në Azi, goditjen më të madhe e pësuan kompanitë financiare japoneze me lidhje në tregun amerikan. Mizuho Financial Group ra me 4%, ndërsa siguruesit Sompo Holdings dhe Tokio Marine humbën respektivisht 4,7% dhe 3,5%. Aksionet e HSBC në Hong Kong ranë me 2%.Analistët e GAM Investments e cilësuan situatën si “reagim emocional”, duke theksuar se deri tani nuk ka shenja për probleme strukturore. “Humbjet duken të izoluara dhe lidhen me integritetin e kolateralit, raste ku garancitë janë përdorur dy herë apo janë falsifikuar”, tha menaxheri David Barker, duke shtuar se bankat europiane janë sot shumë më të kapitalizuara sesa një dekadë më parë.Tregjet përballë pasigurive të rejaMes pasigurive në sektorin financiar, investitorët po shqyrtojnë edhe rreziqet e një flluske të re teknologjike. Drejtues të UBS paralajmëruan se euforia për aksionet e inteligjencës artificiale po ngjan gjithnjë e më shumë me periudhën para kolapsit të dot-com në vitin 2000.Në tregun e korporatave, Volvo Group ra me mbi 7% pas rezultateve të tremujorit të tretë, ndërsa Novo Nordisk ra 6,7% pasi presidenti amerikan Trump u zotua të ulë çmimet e barnave për humbje peshe.Në sfond, të dhënat e Eurostat konfirmuan inflacionin e Eurozonës në 2,2%, në përputhje me pritshmëritë. Përfaqësues të Bankës Qendrore Europiane në takimet e FMN-së dhe Bankës Botërore theksuan se cikli i uljes së normave të interesit “është afër fundit”.Edhe pse analistët e shohin rënien e fundit si një korrigjim afatshkurtër, ngjarjet e javës kanë treguar se pas një dekade qetësie, rreziku i kredive të këqija mbetet një plagë e hapur në sistemin financiar global. / CNBCKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.