Beqir Boja po dëshmon sot në procesin gjyqësor ku i pandehur është Plarent Dervishaj, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit, tashmë deputet, Arjan Ndoja.
Gazetarja e Vizion Plus Blerina Cene, mëson se Boja i pyetur nga prokurori Adnan Xholi, tha: “Në vitin 2019 jetoja në Kamëz. Isha i punësuar si kryetar i këshillit në Zall Herr, ndërsa paralelisht isha i angazhuar edhe me Komisionin e Pajtimit të Gjaqeve. Asllan Rraja më kërkoi të ndërmjetësoja me familjen e Andi Malokut. U lidha me ta përmes telefonit të Hasan Bojës. Kam kryer një shërbim për Redian Rrajën për një ngjarje në Durrës. E dija që kishte qenë i arrestuar. Ngjarja kishte lidhje me vrasjen e djalit të Genc Malokut. Sipas besimit fetar, kemi bërë ‘be’ në Kuran”.
Ai shtoi se kishte njohje me xhaxhain e Genc Malokut, Agim Malokun, dhe se gjatë takimit për pajtimin ishin të pranishëm edhe disa familjarë të tjerë, përfshirë Haxhi Muratin dhe Gjon Shullanin.
“Na respektuan dhe na mbajtën aty. Më pas ka ardhur edhe Genci. I thashë që na ka dërguar familja e Asllan Rrajës dhe kërkuam që të mos nguten, nëse iu kemi hyrë në hak, e shlyejmë. Sipas procedurave të pajtimit të gjaqeve, kërkuam tre muaj kohë”, dëshmoi Boja.
Sipas tij, gjatë takimit Genc Maloku ishte tepër i prekur dhe kishte kërkuar vetëm drejtësi: “Genci tha: ‘Dua të di kush ma vrau djalin e pafajshëm në rrugë’. I thamë të ndalë pushkën dhe të presë drejtësinë. Ai u përlot dhe tha se nuk do të ndjekë njeri, do të presë drejtësinë”.
Beqir Boja deklaroi se pas atij takimi nuk ka pasur më komunikime me familjen Maloku dhe se nuk ka asnjë dijeni se kush janë autorët e ngjarjes.
“Nuk kam asnjë lidhje me autorët. Çfarë di, e kam dëgjuar vetëm nga televizori”, përfundoi ai.
Në dëshminë e tij, Boja shtoi se sipas rregullave të pajtimit të gjaqeve, pas tre muajsh familjes së viktimës do t’i lindte e drejta të merrte hak nëse nuk kishte ardhur drejtësia.
/vizionplus.tv
Dëshmia e Beqir Bojës në gjyqin ndaj Plarent Dervishajt: Asllan Rraja më kërkoi të ndërmjetësoja për pajtimin me familjen e Andi Malokut
