S&P jep vlerësim të kreditit afatgjatë për BKT në shkallën BB-

Agjencia S&P Global ka dhënë për herë të parë një vlerësim krediti për bankën më të madhe në Shqipëri, Bankën Kombëtare Tregtare (BKT).BKT është renditur në nivelin BB- për vlerësimin e kreditit afatgjatë dhe B në vlerësimin e kreditit afatshkurtër, me perspektivë të qëndrueshme.Sipas shkallës së vlerësimit të S&P Ratings, nota e vlerësimit BB dhe B klasifikohen si shkallën spekulative. Konkretisht, vlerësimi BB e përcakton subjektin si “më pak të cenueshëm në afat të shkurtër, por që përballet me pasiguri të mëdha të vazhdueshme dhe ekspozim ndaj kushteve të pafavorshme të biznesit, financiare ose ekonomike”. Ndërsa vlerësimi B e përcakton subjektin si “më të cenueshëm, por aktualisht me kapacitetin për të përmbushur angazhimet financiare”.Ky është një nga rastet e pakta kur bankat tregtare në Shqipëri bëjnë vlerësim të kreditit nga një nga agjencitë e mëdha globale. Më parë, BKT kishte kryer vlerësime vetëm nga agjencia turke JCR Eurasia.Vlerësimi i S&P Rating për BKT mund të shërbejë edhe si një indikacion lidhur me karakteristikat e sektorit bankar shqiptar dhe faktorët që ndikojnë vlerësimin e tij të kreditit.Vlerësimi i kreditit të një banke në një masë të madhe është i lidhur me ekonominë ku vepron dhe me vlerësimin e vetë kreditit sovran të qeverisë. Aktualisht, qeveria shqiptare ka një vlerësim të kreditit afatgjatë nga S&P Global vetëm lehtësisht më të lartë se BKT, në nivelin BB.Në raportin e vlerësimit, S&P shprehet se BKT ka një pozicion të konsoliduar në treg, me 25% në totalin e aseteve në Shqipëri dhe 17% në Kosovë, çka i siguron një diversifikim gjeografik.Që nga privatizimi i saj në vitin 2000, BKT ka ofruar vazhdimisht performancë të fortë financiare, duke ruajtur gjithmonë kthimin mbi kapitalin (ROE) mbi 12%, me një mesatare trevjeçare prej 17.5%.Megjithatë, shkalla dhe baza e klientëve të bankës janë të kufizuara, duke pasur parasysh se popullsia totale në Shqipëri dhe Kosovë është e ulët, me gjithsej më pak se 5 milionë njerëz.Përveç kësaj, S&P nënvizon se modeli i biznesit të BKT-së është i orientuar drejt letrave me vlerë, të cilat përbënin rreth gjysmën e totalit të aseteve të saj në fund të vitit 2024 dhe gjeneronin rreth 50% të të ardhurave të saj nga interesi.Megjithatë, S&P parashikon që rritja e kredisë do të jetë mesatarisht rreth 15% në vit për periudhën 2025-2027, duke tejkaluar mesataren e tregut vendase. Kjo pasqyron përpjekjet strategjike të bankës për të rifituar pjesën e tregut në Shqipëri, veçanërisht në huadhënien për korporatat, pas disa vitesh praktikash më të shtrënguara të kreditimit.S&P parashikon një kthim nga kapitali në masën 17% dhe një raport pagese dividendësh (pjesa që i shpërndahet aksionarit kundrejt fitimit) prej 35%-40%.S&P thekson gjithashtu se ekspozimi ndaj borxhit sovran të qeverisë shqiptare ka ndikimin përcaktues në profilin e riskut të BKT-së. Pesha e konsiderueshme e obligacione sovrane shqiptare, që arrin në 27% të totalit të aktiveve përfaqëson një rrezik të konsiderueshëm përqendrimi. Ky ekspozim, megjithatë, është në linjë me mesataren e sektorit bankar vendas. BKT është gjithashtu e ekspozuar ndaj rrezikut më të madh të tregut përmes portofolit të saj të madh të mbajtur me vlerë të drejtë, krahasuar kjo me bankat e tjera, që janë të fokusuara më shumë në kreditim. Ky ndikim është i dukshëm në luhatjet më të mëdha në rezervat e saj të vlerës së drejtë, siç është ndryshimi i mprehtë i përjetuar në vitin 2022, pas rritjes së normave të interesit. Megjithatë, S&P vlerëson se banka ka përvojë të provuar në menaxhimin e këtyre rreziqeve dhe mban politika të forta të menaxhimit të rrezikut.S&P vlerëson gjithashtu cilësia e aseteve të BKT mbetet e mirë, e mbështetur nga standardet e disiplinuara të huadhënies. Në dhjetor 2024, raporti i kredive me probleme ishte 2.5% në Shqipëri (nën mesataren kombëtare prej 4.2%) dhe 1.2% në Kosovë (nën mesataren kombëtare prej 1.9%).Sipas S&P, raporti mesatar i ponderuar i kredisë ndaj vlerës, në nivelin 57% për kreditë hipotekare, ofron një mbrojtje të fortë kundër luhatjeve të mundshme të tregut të banesave, veçanërisht duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të shtëpive gjatë viteve të fundit./ E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.