Një fushatë pa garë, e quajti analisti Ergys Mërtiri betejën për bashkitë. Mërtiri tha se Partia Demokratike do të ketë një humbje të thellë në zgjedhjet e parakohshme.
Sipas tij, edhe vetë opozita e ka pranuar humbjen. Sa i përket kandidatit opozitar Florian Binaj për garën në Tiranë, analisti deklaroi se partia ku ai po kandidon, pra PD, është një pengesë shumë e madhe për të që të korrë sukses në zgjedhje.
Mërtiri shton se Partia Demokratike i zgjedh të rinjtë në garat ku e di që do të dalë humbëse.
Intervista:
Mërtiri: Do të jetë një fushatë e parakohshme ku do të ketë një sërë rrethe në garë, gati 1/3 e zgjedhësve në zgjedhje të parakohshme. Kjo do të jetë një fushatë ku do të ketë një palë në lojë dhe një që nuk do të dalë në fushë. Kjo tregon që është fushata e vetme ku nuk po garojnë. Janë palë ku njëra është e sigurt në fitore dhe tjetra e sigurt në humbje. Po gjenden mjete për të shmangur betejën dhe kjo vjen për shkak të krizës së thellë ku ka rënë opozita.
PS duket sikur i ka ndezur motorët e fushatës, por nuk duket kështu nga kahu tjetër. Sa mund të ndikojë ky fakt?
Mërtiri: Edhe nëse kahu tjetër do të ndizte motorët, diferenca do të ishte e thellë në humbje. Opozita nuk po krijon dot besueshmëri. Në kushtet kur edhe ajo vetë është dorëzuar dhe e pohon, rezultati do të jetë shumë i thellë. Fshehja pas kandidatëve të pavarur është një lloj bojkoti.
Në Tiranë opozita paraqet z. Florian Binaj. Një opinion për këtë kandidaturë?
Mërtiri: E shoh si një figurë jopolitike. Një figurë e respektuar për shkak se nuk i përket klasës politike. Por, është e vështirë që Binaj të prodhojë ndonjë efekt përmbysës, të çlirojë besueshmëri. Është një kandidat i PD dhe kjo do të jetë një pengesë për të, për të marrë ritmin e tij dhe për t’u prezantuar si i pavarur.
PD kritikohej se nuk arriti dot të dilte jashtë radhëve të saj. Tani që e bëri, përse kritika vazhdon përsëri?
Mërtiri: Sepse nuk e bëri si duhej. Do duhej që kandidati të ishte vërtet i pavarur. Duhej një marrëveshje apo konsensus me partitë e tjera, ose të ishte burim nga jashtë. Mënyra se si u zgjodh z. Binaj, në kohën kur PD ishte në bisedime me palë të tjera, duke detyruar të tjerët të shkojnë nga pas, tregon që ka qenë e përgatitur. Partia Demokratike i zgjedh të rinjtë kur nuk i hyjnë në punë, kur e di që do të humbasë. E mira do të ishte që kandidatët e rinj të ishin në listën e mbyllur të deputetëve, siç e bëri mazhoranca. PD e zgjedh të renë për ta djegur.
Mërtiri: Fushata e vetme pa garë, PD humb me diferencë të thellë
