Premiera teatrore në “Skampa”, kryetari i bashkisë Gledian Llatja pret në takim regjisorin Londo dhe aktorët

Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” premierë në teatrin “Skampa” të Elbasanit. Veprën e autorit Joe Orton e sjell në skenë regjisori i mirënjohur Kiço Londo. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja përpara premierës në skenë priti në një takim regjisorin Londo dhe aktorët e komedisë së bashku me drejtorin e teatrit “Skampa”. Llatja shprehet se në teatrin “Skampa” publikun e presin të papritura dhe humor. “Një takim i ngrohtë me regjisorin legjendar Kiço Londo dhe aktorët fantastikë të premierës “Çfarë pa Kryeshërbëtorja?”. Nga data 11 deri më 16 Prill, në skenën e teatrit “Skampa” ju presin të papritura, humor i guximshëm dhe shumë argëtim.
Mos e humbisni”, shkruan Llatja në rrjete sociale, ku ka ndarë dhe foto nga ky takim që zhvilloi me regjisorin dhe aktorët e shfaqjes teatrore. Në skenë interpretojnë aktorët: Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Mario Elezi, Ëngjëll Hoxha, Livjon Aliaj. Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” do të vijojë në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan në datat 12, 13, 14, 15, 16 prill në orën 19:00. Në komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, një punonjës hoteli i përfshirë në intrigat skizofrenike të një psikiatri, me një sekretare të zhveshur e të fshehur pas perdes së krevatit, zonjë elegante e mbytur në alkool dhe përqafime të paligjshme, profesor i psikiatrisë me fantazi surreale që prish rrjedhën e ngjarjeve dhe polici që hyn në hapësirën e tyre…Dhe e gjithë kjo në një mjegull të krijuar nga puroja e Çurçillit… Vepra e autorit Joe Orton që vjen në skenë nga Londo është përkthyer nga Artur Lena.
Në shfaqje drejtor ekzekutiv Kliton Kapaj, m. produksioni Zhaneta Ruçaj, kostumografia Ersa Kana, dekori Fabio Rapushaj, shef teknik Maksim Qosja; ekipi pas skenës: as. regjisor Olgert Mataj, as. kostumografe Klara Fyshku, ndriçimi Helidon Gremi, audio Ali Zena dhe Met Çera.