QKK hap konkurrimin për projektet filmike për pjesëmarrje në tregun e filmit gjatë festivalit të Kanës

Nga Julia Vrapi
Projektet filmike shqiptare në tregun e filmit gjatë festivalit të Kanës. Qendra Kombëtare e Kinematografisë shpall njoftimin për pjesëmarrjen në tregun filmit gjatë festivalit të Kanës për projekte shpallur fituese gjatë vitit 2024, si dhe ato në proces financimi për këto kategori: a) Film artistik me metrazh të gjatë; b) Film artistik me metrazh të gjatë-vepër e parë dhe e dytë. Paraqitja e dokumentacionit për aplikim prej producentëve sipas QKK, duhet të dërgohet njëkohësisht në dy adresat elektronike, që ka publikuar në faqen e saj. Sipas QKK producentët duhet të jenë të regjistruar pranë saj për vitin 2025 përpara se të aplikojnë. “Afati i aplikimeve fillon më datë 9 prill 2025 dhe përfundon më datë 15 prill 2025 , ora 16:00”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Ndër të tjera QKK bën me dije edhe kriteret për aplikim: Të detyrueshme: 1. Letër interesimi, motivimi nga producenti, përshkrimi i qëllimit të pjesëmarrjes në festivalin e Kanës, rijetëzim profesional, krijim bashkëpunimesh, kërkim partnerësh ndërkombëtarë për koproduksion, agjentë shitjesh, festivale, objektivat konkrete që producenti synon të arrijë gjatë qëndrimit në Marche du Film, etj; 2. Lista e aktiviteteve, ku synohet të merret pjesë në Kanë; 3. Forma e përfaqësimit në Kanë; 4. Kalendar pune; 5. Preventiv financiar i detajuar në zëra, etj. Njoftimi nga QKK për këtë konkurrim për pjesëmarrje projektesh në tregun e filmit gjatë festivalit të Kanës vjen në vijim dhe të thirrjeve të projekteve të tjera që ka hapur më parë drejtuar kineastëve dhe producentëve, si ajo për filma me metrazh të gjatë vepër e parë dhe e dytë; zhvillim projektesh për filma me metrazh të gjatë, etj.
Kosova e Shqipëria me pavion të përbashkët vjet në tregun e filmit në Kanë
Marché du Film është homologu i biznesit i Festivalit të Filmit të Kanës dhe një nga tregjet më të mëdha të filmit në botë. I themeluar në vitin 1959, mbahet çdo vit në bashkëpunim me Festivalin e Kanës. Një vit më parë Qendra Kombëtare e Kinematografisë me Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK) u prezantuan me një pavion të përbashkët në tregun e filmit “Marche Du Film” në festivalin e filmit në Kanë të Francës. Festivali i 78-të vjetor i filmit në Kanë do të zhvillohet  këtë vit nga 13 deri më 24 maj 2025.  Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) është krijuar në vitin 1997. QKK është institucioni më i rëndësishëm kombëtar që inkurajon, financon dhe promovon prodhimin kinematografik në Shqipëri.
Përmes administrimit të fondit publik, QKK mundëson zhvillimin e industrisë së filmit në vendin tonë. Ndër të tjera, Qendra Kombëtare e Kinematografisë është përfaqësuese e Shqipërisë pranë strukturave ndërkombëtare kinematografike Eurimages, SEE Cinema Network dhe European Film Promotion dhe organizon pavione të filmit shqiptar në festivalet ndërkombëtare të filmit në Kanë dhe Berlin