Mazhoranca nuk merr pjesë në Komisionin e Edukimit, Boçi ‘shpërthen’: Lojëra politike, kanë frikë nga llogaridhënia

Në një akt të paprecedentë, mazhoranca socialiste ka bojkotuar sot mbledhjen e Komisionit të Edukimit dhe Shkencës, të thirrur me kërkesë të vetë nënkryetares së këtij komisioni, deputetes socialiste Evis Kushi. Kjo lëvizje, e diktuar nga urdhra politikë, është një dëshmi e frikës së qeverisë për t’u përballur me pyetjet e opozitës dhe për të dhënë llogari për gjendjen alarmante të arsimit në vend.
Mbledhja e sotme kishte si qëllim përcaktimin e datës dhe orës së seancës dëgjimore me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, për të raportuar mbi situatën në arsimin parauniversitar dhe masat e marra për fillimin e vitit të ri shkollor.
Bojkoti i mazhorancës dhe refuzimi sistematik i ministres për të raportuar përballë deputetëve janë tregues se qeveria po fshihet nga përgjegjësia dhe po shmang çdo formë transparence dhe debati institucional.
Kryetari i Komisionit të Edukimit, Shkencës dhe Sportit, Luçiano Boçi, deklaroi se, pavarësisht bojkotit, seanca dëgjimore me ministren Kumbaro do të mbahet në datën e premte, më 17 tetor, ora 11:00, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Boçi i bëri thirrje mazhorancës që të ndalë lojërat politike dhe t’i kthehet detyrës parlamentare. Ai kërkoi nga ministrja Kumbaro që të respektojë detyrimin kushtetues dhe të paraqitet në Komision për të dhënë shpjegime para qytetarëve.
“Ky është një detyrim ligjor dhe moral që asnjë ministër nuk mund ta shmangë. Çdo tentativë për bojkot apo vonesë është një akt i hapur mosrespektimi ndaj Kuvendit, ndaj arsimit dhe ndaj qytetarëve shqiptarë,” u shpreh Boçi.