SPAK trondit kupolën e pushtetit/ Dumanit zbardh operacionet: 33 zyrtarë të lartë nën hetim, mijëra përgjime në rrjet!

Dumani raporton në Komisionin e Ligjeve për raportin e punës të vitin 2024…
Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi sot në Komisionin e Ligjeve për punën e institucionit gjatë vitit 2024, duke theksuar se hetimet për korrupsion janë rritur ndjeshëm në intensitet dhe rezultate. Sipas Dumanit, gjatë këtij viti janë proceduar penalisht 33 zyrtarë të lartë, ndërsa çështjet janë dërguar për ndjekje në gjykatë.
“Numri dhe cilësia e hetimeve ka ardhur në rritje. Kemi arritur të nisim procedime të rëndësishme për korrupsion aktiv dhe pasiv të zyrtarëve të nivelit të lartë,” deklaroi Dumani.
Ai informoi gjithashtu se janë përdorur teknika të posaçme të hetimit, përfshirë përgjimet me pajisje të interceptuara. Konkretisht, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 163 procedime penale ku janë përgjuar 3096 pajisje fundore (numra telefonikë dhe pajisje të subjekteve në përgjim). Edhe pse kjo përfaqëson një rënie prej 7,1% krahasuar me vitin 2023, Dumani e konsideroi këtë pjesë të një procesi më të sofistikuar dhe të përqendruar ndaj objektivave me prioritet të lartë.
Përveç hetimeve, SPAK ka ekzekutuar 2046 vendime gjykate gjatë vitit, që përbën një rritje prej 22,6% në raport me vitin 2023. Dumani theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe përdorimi i skuadrave të përbashkëta hetimore ka qenë thelbësor në rritjen e efikasitetit.
Pjesë nga fjala e Dumanit
Në kuadër të rekomandimit numër një, është rritur ndjeshëm numri dhe cilësia e hetimeve për korrupsion, me 33 zyrtarë të lartë të proceduar dhe çështje të dërguara në gjykatë, si dhe një rritje prej 8% të çështjeve nën hetim.
Në zbatim të rekomandimeve numër dy dhe tre, SPAK ka intensifikuar përdorimin e teknikave proaktive të hetimit dhe ka arritur të zhvillojë hetime që nisin kryesisht me procedime të tilla, si dhe skuadra të përbashkëta hetimore të reja me partnerë ndërkombëtarë.
Sa i takon rekomandimeve numër katër dhe pesë, ato janë përmbushur përmes forcimit të hetimit financiar dhe rritjes së sekuestrimeve e konfiskimeve në vlerën miliona euro.
Rekomandimi numër gjashtë është zbatuar përmes trajnimeve të specializuara, mbështetjeve financiare dhe teknologjike në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë si Eurojust, Europol, Interpol, DEA, FBI, NCA e të tjerë.
Sa i takon rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër krimit të organizuar, në zbatim të rekomandimit numër një, krahasuar me vitin 2023, numri i çështjeve nën hetim për veprën penale të trafikut të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal është rritur në masën 3.3%.
Rekomandimi numër dy për çështjet e terrorizmit është zbatuar me nisjen e dy procedimeve dhe dërgimin në gjykim të një çështjeje për financim të terrorizmit.
Sa i takon rekomandimit numër tre, është realizuar përmes identifikimit dhe intensifikimit të hetimeve për pastrimin e parave. Ndërsa rekomandimi numër katër ka sjellë rritjen e bashkëpunimit me MANIVAL dhe Eurojust për hetimet financiare.
Në zbatim të rekomandimit numër pesë, janë përdorur teknika të posaçme të hetimit në procedime penale me pajisje të interceptuara. Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 163 procedime penale, ku janë interceptuar 3096 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim). Krahasuar me vitin 2023, numri i pajisjeve fundore të interceptuara është 7,1% më i ulët (3335 pajisje fundore të interceptuara gjatë vitit 2023).
Për vitin 2024 janë ekzekutuar 2046 vendime gjykate, çka shënon një rritje në masën rreth 22,6% (në krahasim me 1669 vendime gjykate për vitin 2023).