Një kompani amerikane ka prezantuar një lloj të ri druri që mund të revolucionarizojë industrinë e ndërtimit. “Superdruri”, i krijuar nga kompania InventWood, pretendohet se ka deri në 10 herë raport më të lartë fortësie ndaj peshës sesa çeliku, ndërsa është deri në gjashtë herë më i lehtë, raporton CNN.
Këtë material inovativ e ka zhvilluar shkencëtari i materialeve Liangbing Hu, i cili aktualisht është profesor në Universitetin Yale. Ai nisi kërkimet e tij mbi drurin më shumë se një dekadë më parë në Universitetin e Maryland, me synimin për ta bërë drurin më të fortë dhe më të qëndrueshëm.
Sipas InventWood, procesi i prodhimit përfshin trajtim kimik dhe shtypje në temperaturë të lartë, që e ngjesh strukturën qelizore të drurit, duke e bërë atë jashtëzakonisht të dendur dhe rezistent. Rezultati është një material që, sipas testimeve, ka raport fortësie ndaj peshës më të madh se shumica e metaleve.
“Duket si dru, sillet si dru – por është shumë më i fortë dhe më i qëndrueshëm në çdo aspekt,” tha drejtori ekzekutiv i InventWood, Alex Lau.
Superdruri mund të përdoret fillimisht në tarraca, fasada dhe mobilje, por kompania synon që në të ardhmen të ndërtohen edhe ndërtesa të tëra me këtë material. Sipas Lau, ndërtesat do të ishin katër herë më të lehta dhe më rezistente ndaj tërmeteve, duke ulur edhe koston e ndërtimit.
Edhe pse aktualisht është më i shtrenjtë se druri i zakonshëm, Superdruri ka 90% më pak emetime karboni sesa prodhimi i çelikut, gjë që e bën atë një alternativë shumë më miqësore me mjedisin.
Ekspertët vlerësojnë se druri mund të shërbejë si depozitues afatgjatë i karbonit, duke ndihmuar në uljen e ndotjes. Megjithatë, pengesa kryesore për përhapjen e gjerë të këtij materiali mbetet ngurrimi i industrisë së ndërtimit për të pranuar ndryshime.
Sipas Lau, qëllimi i InventWood nuk është ta bëjë Superdrurin më të lirë se druri i zakonshëm, por ta bëjë konkurrues me çelikun – një synim që mund të ndryshojë përfundimisht mënyrën si ndërtohen qytetet e së ardhmes.
