Grupi Parlamentar i PD zyrtarizon kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për zgjedhjet e 11 majit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka zyrtarizuar kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
“Në kërkesë evidentohet se siç ishte parashikuar nga katër rezolutat ndërkombëtare të miratuara nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Internacionalja e Demokratëve të Qendrës (CDI) dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), procesi zgjedhor u provua të ishte një farsë elektorale në vend të një shprehje të lirë dhe demokratike të vullnetit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e PD.
“Problematikat dhe shkeljet që shoqëruan zgjedhjet parlamentare u pasqyruan gjërësisht edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve në datën 12 maj 2025.”

Sipas Grupit Parlamentar të PD “në këto dokumente ndërkombëtare, del qartë se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, u kompromentuan rëndë për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, veçanërisht në drejtim të shitblerjes së votës,  intimidimit të zgjedhësve, shtetit elektoral,  sistemit kriminal të patronazhimit, manipulimit të votës së Diasporës dhe finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit.”
“Në kërkesë evidentohet gjithashtu, se me qëllim marrjen e mandatit të katërt qeverisës dhe pamundësimin e rotacionit me çdo kusht, qeveria u angazhua në një abuzim sistematik të pushtetit dhe burimeve shtetërore për të manipuluar procesin zgjedhor, konkretisht në këto drejtime: 1) Keqpërdorimi i eventeve publike; 2) Kapja e institucioneve shtetërore; 3) Riaktivizimi i sistemit të patronazhimit; 4) Blerja e drejtpërdrejtë e votave:; 5) Manipulimi zgjedhor përmes subvencioneve për fermerët; 6) Anullimi masiv i gjobave: 7) Miratimi i 138 licencave për kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin; 8) Prokurime të paligjshme; 9) Abuzimi me lejet e legalizimit dhe të ndërtimit; 10) Punësime të paligjshme; 11) Përfshirja e grupeve kriminale në fushatë; 12) Kontrolli i Medias; 13) Rrjeti i “Patronazhistëve” në Ditën e Zgjedhjeve;14) Zyrat zgjedhore të paligjshme të Partisë Socialiste; 15) Blerja e Votave dhe Manipulimi Zgjedhor; 16) Konfiskimi i Kartave të Identitetit – Blerja e të Drejtës së Votës; 17) Keqpërdorimi i të Dhënave Personale; 18) Përdorimi i gjerë i badge të falsifikuara të stafit dhe vëzhguesve; 19) Shkelja e Fshehtësisë së Votës; 20) Manipulimi i Fshehtë i Fletëve të Votimit (“Treni Bullgar”); 21) Zhdukja e 350 Kutive të Votimit dhe Shfaqja e Fletëvotimeve të Dyshimta; 22) Manipulimi i Votës së Diasporës dhe Parregullsitë e Ditës së Zgjedhjeve; 23) Mosfunksionimi i Sistemeve të Identifikimit Biometrik (PEI); dhe 24) Bashkëpunimi Institucional dhe Rrëzimi e Ankesave.”
Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025, vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.
Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Sipas Kushtetutës, kur Komisioni Hetimor kërkohet të ngrihet nga të paktën 35 deputetë, Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e Komisionit.