“A e konsideroni veten produkt të Soros? Ja si përgjigjet ministri i Drejtësisë

Në Komisionin e Ligjeve raportoi ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili u përball edhe me disa pyetje nga deputetët e opozitës. Elda Hoti e pyeti nëse ka punuar me Fondacionin Soros dhe e konsideron veten produkt të tij? Si përgjigje, Lamallari u shpreh se është krenar për përvojat e tij profesionale.
Ai theksoi se askush nuk mund t’i bëjë biografinë: “Kur shteti shqiptar shpërndante bursa e ekselencës tek fëmijët e politikanëve dhe ata që mundoheshin shumë dhe vinin nga familje normale shqiptare nuk kishin mundësi sado që ishin ekselentë dhe e vetmja mundësi ishte përmes granteve të partnerëve të tjerë”.
Elda Hoti: A keni punuar në Fondacionin Soros dhe a keni konsideruar veten produkt të tij? Si do ndikojë kjo përvojë në qasjen ndaj reformës në drejtësi?
Besfort Lamallari: Jam krenar për përvojën time profesionale, përfshirë edhe një studimi për krimin e organizuar në vend. Janë momente të tilla që mundësojnë edhe avancimin në karrierë, duke identifikuar nevojat që paraqet vendi, falë edhe formimit arsimor jashtë vendit përmes mbështetjes së këtyre organizimeve ndërkombëtare që kanë dhënë mbështetje. Kur shteti shqiptar shpërndante bursa e ekselencës tek fëmijët e politikanëve dhe ata që mundoheshin shumë dhe vinin nga familje normale shqiptare nuk kishin mundësi sado që ishin ekselentë dhe e vetmja mundësi ishte përmes granteve të partnerëve të tjerë. Ideja e të bërit biografisë sikur do kompleksohet tjetri nuk ndodh me mua. Unë nuk i bëj biografinë askujt.