Alfred Cako zbulon prapaskenat e forta, ja dy skenarët që fshihen pas pezullimit të zgjedhjeve në Tiranë dhe kush…

Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako ka hedhur dritë mbi prapaskenat e forta që, sipas tij, fshihen pas pezullimit të zgjedhjeve në Tiranë. Sipas tij, pas këtij vendimi nuk qëndron vetëm një vendim teknik apo ligjor, por ndikime të fuqishme nga qarqe ndërkombëtare dhe lëvizje të brendshme për të ruajtur imazhin e institucioneve shqiptare. Ai thekson se frika nga një ndërhyrje e mundshme e Gjykatës së Strasburgut, që mund të përmbysë vendimet e ndërmarra kundër Erion Veliajt, ka bërë që gjykatat shqiptare të përpiqen “të shpëtojnë nderin e tyre”. Ndërkohë, Cako ngre edhe mundësinë që kjo të jetë një lëvizje e qëllimshme për të dhënë idenë se pushtetet në Shqipëri janë të pavarura nga njëri-tjetri, duke shtyrë procesin pa e anuluar plotësisht. “Ka dy skenarë.
E para, mund të ketë ndonjë ndikim nga këto qarqet ndërkombëtare për shkak të frikësimit me Gjykatën e Strasburgut, që mund t’i rrëzojë të gjitha këto që janë ndërmarrë kundër Veliajt, për shkak të një influence ose një simpatie që shikohet nga qarqe të ndryshme në politikën gjermane për Erjon Veliajn. Po, nuk jam dakord me të gjitha këto procedurat që shteti, qeveria, mazhoranca ka ushtruar për goditjen e tij. Dhe të trembur ndoshta nga një vendim që mund të marrë Gjykata e Strasburgut, gjykatat shqiptare po përpiqen të shpëtojnë nderin e tyre, sepse presidenti diletant Bajram Begaj bashkë ose nën trysninë e mentorit të vet që e zgjodhi aty, duke kapur dhe pushtetin e presidencës, firmosi me naivitet një datë zgjedhjesh në një kohë që kishte një ankimim nga kryetari aktual i bashkisë, Erjon Veliaj, në Gjykatën Kushtetuese.
Procedurialisht ata duhet të prisnin derisa Gjykata Kushtetuese të jepte përgjigje në lidhje me shkarkimin ose moshkarkimin që mund të japë vendim të Erjon Veliajt. Dhe vetëm në qoftë se ajo do jepte dakordësinë për shkarkimin në vendim, atëherë ata do të shpallnin një datë zgjedhjesh. Këta më së paku vendosën një standard që shteti funksionon. E dyta mund të jetë që është një lojë ku këta duan të tregojnë që pushtetet në Shqipëri janë të pavarura. Organi më i lartë i pushtetit të drejtësisë, që është Gjykata Kushtetuese, më së paku nuk është e varur nga qeveria, dhe thjesht mund të shtyjnë vetëm datën. Dhe pasi ta shqyrtojnë, mund të lënë në fuqi vendimin e gjykatës dhe mund të vendoset një datë tjetër. Paraprakisht jepet një ide që këta nuk ndikojnë mbi njëri-tjetrin. Domethënë pushteti… Këto janë njësoj dhe pastaj mund të japin një vendim. Po unë mendoj që mund të jetë e para. Këta mund të jenë trembur nga ndonjë ndërhyrje e gjykatave evropiane të të drejtave të njeriut, ku Erjon Veliaj mund të bëjë ankesë me avokatët e vet, me ata ndërkombëtarët që ka kapur, dhe duan të shpëtojnë nderin e tyre”, shprehet Alfred Cako.
Vrasja e gjyqtarit
Alfred Cako ka reaguar me tone të forta pas vrasjes së gjyqtarit, duke e cilësuar këtë ngjarje si një pasqyrë dramatike të humbjes totale të besimit të qytetarëve te sistemi dhe klasa politike shqiptare. Ai thekson se mënyra si reagoi publiku në rrjete social  duke përgëzuar autorin e atentatit dhe duke mbledhur fonde për mbrojtjen e tij ligjore tregon se shoqëria shqiptare ndodhet në një krizë të thellë morale dhe institucionale. Sipas Cakos, gjyqtari i vrarë nuk ishte shkaku i problemeve, por vetëm hallka e fundit e një sistemi të korruptuar politik, ekonomik dhe juridik që funksionon kundër qytetarit. Ai kujton se rrënjët e kësaj krize lidhen me ligje të padrejta si ai i pronave 7501, i imponuar sipas tij nga ndikime të huaja, dhe me degradimin e politikës shqiptare në një sistem feudal të dominuar nga oligarkë që pasurohen në kurriz të shtresës së mesme.
Në këtë kontekst, Cako akuzon të dy partitë kryesore për kapjen e shtetit dhe shkatërrimin e demokracisë. Sipas tij, oligarkët janë menaxherët e pasurive të liderëve politikë në Tiranë. “Duket nga rrjetet sociale që shumë njerëz përgëzojnë autorin e vrasjes, dhe ky është një problem i madh që tregon që njerëzit nuk kanë më besim te sistemi, te dy partitë politike dhe te liderët e tyre. Madje është arritur deri atje sa kërkohen fonde, të mblidhen fonde publike në një numër llogarie të caktuar që një grup njerëzish kanë caktuar, për t’i dhënë avokatëve të mbrojtjes së atentatorit të vrasjes së gjyqtarit. Gjyqtari në fakt ka qenë hallka e fundit e gjithë sistemit politik, ekonomik dhe juridik që ne kemi ngritur. Problemet në fakt nuk i shkakton në përgjithësi gjyqtari, po i shkaktojnë në përgjithësi ligjet dhe sistemi. Ne kemi ngritur një sistem të gabuar që në çështjen e pronës, në ndikimin e britanikëve, të cilët gjithmonë udhëhiqen nga parimi “përça dhe sundo”. Kanë qenë dy britanikë në vitet ’90-’91 në Ministrinë e Bujqësisë, të cilët kanë ndikuar fort që të vendosej ligji i sotëm i pronave 7501.
Unë kam qenë autor i një ligji në Parlament, që është i vetmi projektligj i rrëzuar me pak vota, që e kanë mbështetur të gjitha shoqatat e pronarëve të shoqatave të bregdetit. Është i vetmi projektligj. Projektligji quhej Cako-Mediu, por në fakt është hartuar nga unë dhe nga disa juristë të shoqatës. Ne kemi ndërtuar një sistem të gabuar. Këtu në Shqipëri njerëzit nuk janë as të majtë as të djathtë; thjesht janë arivistë të cilët rendin për ndonjë post nëpërmjet partive politike. Ne kaluam nga një sistem politik i izoluar komunist në një sistem feudalist. Kaluam nga një sistem ku ishim të mbyllur me tela me gjemba. Jemi duke e shpopulluar vendin tonë. Kaluam nga një sistem ku të huajt i konsideronim armiq, kaluam tani në një paranojë që ne do na mbrojnë të huajt vendin tonë dhe do na shpëtojnë të huajt. Kaluam nga një sistem që mendonim të prodhonim çdo gjë vetë, me forcat tona, në një sistem që ne nuk prodhojmë më asnjë gjë. Nuk prodhojmë asnjë gjë. Është e tmerrshme! Ne s’prodhojmë hudhra, shkojmë në dyqan dhe blejmë hudhra kineze. Ne shkojmë në dyqan, blejmë qepë gjermane. Kjo tregon dështimin e sistemit. Ne industrializuam vendin dhe e kthyem në një vend gjysmë feudal.
Tashmë ka një pakënaqësi të madhe ndaj sistemit dhe ndaj partive politike. Këta, nga një udhëheqje me një Bllok atje, me një Byro Politike, e kanë kthyer në një udhëheqje ku janë ca nga Partia Demokratike dhe ca nga Partia Socialiste, një grup i vogël njerëzish, të cilët, kur vjen njëra në pushtet dhe kur vjen tjetra, vetëm pasurojnë një grup që quhen oligarkë (që kanë paratë e lidershipit të të dyja krahëve), dhe shkatërrojnë shtresën e mesme duke ndjekur politika ekonomike dhe politike thellësisht antishqiptare: duke privatizuar gjithë sektorin publik jetik, duke ua dhënë të huajve bankat, duke ua dhënë të huajve minierat, duke ua dhënë të huajve kompanitë e sigurimeve, dhe duke privatizuar gjithë pjesën tjetër në favor të njerëzve në mënyrë klienteliste nga dy partitë politike. Në Shqipëri nuk ka as shtet ligjor, pra ligjet janë të gabuara, dhe nuk ka një shtet të së drejtës. Këta ia kanë hequr popullit komplet të drejtën, dhe tek ne nuk funksionon demokracia, po funksionon një pushtet oligarkik i vendosur vetëm me pak duar. Këta nuk lejojnë as ‘de jure’ të bëhet referendum, ku populli mund të marrë vendime për një diçka të caktuar dhe të votojë me referendum (qoftë lokal, qoftë të përgjithshëm, për çështje me interes lokal ose të përgjithshëm).
Pra, demokracia këtu nuk funksionon dhe njerëzit kanë urrejtje për këta bllokmenët e rinj që kanë marrë sot pushtetin. Dhe unë ta kam thënë që synimi është që Rama përsëri të vazhdojë ta monopolizojë pushtetin, duke vendosur presidentin nga populli, dhe duke u përpjekur të marrë dhe dy mandate presidentin. Dhe e kam thënë që unë jam një nga kandidaturat që do t’i vijë përballë, në qoftë se nuk do të ketë pengesa ligjore (se ata do përpiqen të bëjnë pengesa dhe t’i shpallin kandidatët ndoshta vetëm nga partia e madhe politike që kanë grupe parlamentare ose që kanë më shumë se 30 deputetë në Parlament). Por, në qoftë se mua do më krijohet mundësia, unë do të dal përballë tij thjesht për të hedhur një farë, që populli të ketë shpresë që jeta në Shqipëri mund të bëhet më e mirë”, shprehet Cako.