Artistët e Ansamblit Popullor me koncerte në Itali

Folklori shqiptar u përcoll me koncertet e artistëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Bolzano dhe Roverto të Italisë. Artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhuruan shfaqje, ku këngët dhe vallet e të gjitha trevave shqiptare u bënë urë mes kulturave, duke sjellë për publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar shpirtin, ngrohtësinë dhe krenarinë e trashëgimisë sonë kombëtare. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se pas Bolzanos, Rovereto i priste artistët për një tjetër shfaqje të jashtëzakonshme. Koncertet e artistëve të Ansamblit Popullor në Itali janë në vijim të atyre më parë në aktivitetin artistik.
Më herët kur u prezantua dhe kalendari artistik i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në program ishin dhe dy koncerte në Itali, që u zhvilluan këto mbrëmje tetori. Folklori popullor u përcoll me koncerte nga artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore edhe përgjatë stinës së verës në qytete të ndryshme të vendit. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh.