“Të parët dhe të fundit” premierë në teatër, drama thriller është e përqendruar në një vrasje në Londër

Nga Julia Vrapi
“Të parët dhe të fundit” një tragjedi e shkruar nga dramaturgu anglez John Glaswothy vjen premierë në skenën teatrore këtë tetor. Në teatrin Metropol do të shfaqet drama thriller, që është e përqendruar në një vrasje në Londër. Me regji nga Marius Dhrami shfaqja teatrore vjen në skenë me interpretimin e gjashtë aktorëve në dy mbrëmje me radhë. “Të parët dhe të fundit” është një tragjedi e shkruar nga dramaturgu dhe novelisti anglez John Galsworthy, një autor që është edhe fitues i çmimit “Nobel”. Në rolet e veprës teatrore që do të jetë në datat 16 dhe 18 tetor në skenën e teatrit Metropol janë aktorët: Erjon Hodo, Xhino Musollari, Megi Bregasi, Denardo Neziri, Serxhjo Danga si edhe Erd Kullolli.
Kjo shfaqje teatrore, që do të jetë këtë tetor në skenë për publikun bëhet edhe pjesë e jetës artistike këtë sezon, ndërsa vjen si një produksion i ri. Drama thriller është e përqendruar në një vrasje në Londër, që përfshin dy vëllezër, Keith dhe Larry Darrant, dhe një grua të re polake, Uanda. Larry, djali më i ri i familjes së mirënjohur Darrant vret një burrë që tenton të abuzojë me të dashurën e tij Uandën e pas krimit kërkon ndihmën e vëllait të tij Keith avokat dhe këshilltar i Mbretërisë së Anglisë. Keith, një individ me synime të qarta karrieriste, përpiqet ta ndihmojë të vëllain për tu arratisur, por kur një burrë i pafajshëm arrestohet për krimin e kryer situata del jashtë kontrollit. Në shfaqjen me regji nga Marius Dhrami, asistent regjisor është Jurgen Dervishi, grafik dizajni e fotografi Kejsi Harizi, skenografia Ibrahim Burgu dhe kostumografia Frenci Gjerasi. Marius Dhrami me këtë shfaqje vjen si regjisor, por në aktivitetin e tij artistik nuk kanë munguar edhe rolet në teatër si aktor.
Një shfaqje, ku shpaloset i gjithë dimensioni njerëzor
“Të parët dhe të fundit” që do të shfaqet këtë tetor premierë në Metropol është një shfaqje, ku sipas materialit tw teatrit shpaloset i gjithë dimensioni njerëzor. “Një luftë psikologjike dhe emocionale midis dashurisë së pastër, trashëgimisë dhe peshës së mbiemrit, ndërgjegjes, koshiencës, fajit dhe drejtësisë, moralit dhe hipokrizisë. Një shfaqje ku shpaloset i gjithë dimensioni njerëzor, nga ndjenjat më të çiltra deri në interesat e skutave më te errëta të zemrave!”, thuhet rreth shfaqjes teatrore në materialin e teatrit Metropol në Tiranë. John Galsworthy ishte një shkrimtar dhe dramaturg anglez, i cili e fitoi çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1932.  Ndër veprat e tij të botuara pas vdekjes ishte një vëllim me poezi (1934). Tema e drejtësisë kishte treguar shqetësimin e Gollsuorthit për gjendjen e rëndë të të burgosurve. Ai gjithashtu ishte aktiv në kauza të ndryshme letrare, duke u bërë presidenti i parë i PEN (Shoqata Ndërkombëtare e Poetëve, Dramaturgëve, Redaktorëve, Eseistëve dhe Novelistëve) kur u themelua në vitin 1921 dhe president i Shoqatës Angleze (1924).