Parku arkeologjik i Butrintit dhe kalaja e Gjirokastrës nga janari deri në muajin shtator kanë pasur dhe numrin më të madh të vizitorëve. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi një ditë më parë statistikat, ku rreth 1.259.774 vizitorë kanë vizituar sitet kulturore nga muaji janar deri në shtator të këtij viti.
“Një rritje me 57 për qind krahasuar me vitin 2023. Falë mirëardministrimit, të ardhurat nga biletat janë rritur me 84 për qind, krahasuar me vitin 2023!”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. Në materialin e publikuar nga ministri Blendi Gonxhja sitet më të vizituara për këto muaj janë: parku arkeologjik Butrint – 257.670 vizitorë; kalaja e Gjirokastrës- 253.407 vizitorë; parku arkeologjik Shkodër – 150.927 vizitorë; muzeu kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – 147,178 vizitorë dhe parku arkeologjik i Apolonisë – 109,669 vizitorë. Herë pas here edhe më parë institucionet kanë bërë me dije numrin vizitorëve në kala, muze e parqe arkeologjike në vend, ku ka pasur një rritje të tyre. Nga statistikat për numrin e vizitorëve të publikuar së fundmi parku kombëtar i Butrintit ka edhe numrin më të madh të vizitorëve, që gjithashtu është edhe një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit.
Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Janar – shtator 2025, mbi një milion turistë në sitet kulturore
