Në zemër të Istrias, në fshatin piktoresk Svetvinčenat të Kroacisë, u mbajt edicioni i 25-të i Konkursit të Bukurisë së Dhive, një ngjarje që prej vitesh është kthyer në pjesë të folklorit vendas dhe një atraksion turistik shumë i dashur. Aktiviteti u zhvillua në hijen e Kështjellës Morosini-Grimani, një nga monumentet më të ruajtura të periudhës së Rilindjes në rajon, ku dhia e Istrias, dikur e nënvlerësuar, sot festohet si krenari e trashëgimisë lokale.
Koordinatori i aktiviteteve kulturore në kështjellë, Matija Ljuba, kujtoi se dikur dhitë në Istri nuk ishin aq të dashura si sot. “Në kohën e Rilindjes, dhia ishte një kafshë e ndaluar sepse konsiderohej armik i bimëve aromatike. Vetëm familjet e varfra lejoheshin t’i mbanin, por me kushte të rrepta – nëse kapeshin në qytet, kafsha vritej dhe pronari burgosej,” shpjegoi ai.
Ligje të mëvonshme, në shekujt XIX dhe XX, pothuajse e ndaluan mbajtjen e dhive, duke e konsideruar si një rrezik për pyjet dhe bujqësinë, çka solli një rënie drastike të popullsisë së tyre. Historianët theksojnë se ndalimi zgjati deri në fund të Luftës së Parë Botërore, ndërsa lejet për mbajtje dhish jepeshin vetëm për arsye shëndetësore.
Sot, megjithatë, situata është përmbysur. Dhitë e Istrias janë kthyer në simbol të rajonit – shfaqen në emblemën dhe flamurin e Istrias, madje edhe në stemën kroate. Konkursi i bukurisë, i cili shpall “Miss” dhe “Mister Goat”, ka për qëllim jo vetëm promovimin e trashëgimisë rurale, por edhe nxitjen e turizmit dhe mbrojtjen e racës së dhisë vendase.
Autoritetet lokale dhe kombëtare kanë premtuar fonde për të ruajtur dhinë istriane si një pasuri gjenetike dhe kulturore, ndërsa programet e reja të mbarështimit janë tashmë në zbatim me mbështetjen e komunitetit vendas. Në këtë mënyrë, një kafshë dikur e përçmuar është rikthyer në simbol të identitetit dhe krenarisë së Istrias.
