Çmimi Nobel për shkencat ekonomike, ja tre emrat që u shpallën fitues për shpjegimin e rritjes falë inovacionit

Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt janë fituesit e çmimit Nobel për Ekonominë. Fituesit u vlerësuan për shpjegimin dhe përcaktimin më të mirë të “shkatërrimit krijues”, një koncept kyç në ekonomi që i referohet procesit në të cilin inovacionet e dobishme zëvendësojnë dhe kështu shkatërrojnë teknologjitë dhe bizneset e vjetra.
Gjysma e çmimit prej 11 milionë kronash suedeze (gati 1.2 milionë dollarë) i shkon Mokyr dhe gjysma tjetër ndahet midis Aghion dhe Howitt. Fituesit marrin gjithashtu një medalje ari 18 karatësh dhe një diplomë. Çmimi i ekonomisë njihet zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit.
Banka qendrore e themeloi atë në vitin 1968 si një përkujtim për Nobelin, biznesmenin dhe kimistin suedez të shekullit të 19-të, i cili shpiku dinamitin dhe themeloi pesë Çmimet Nobel. Që atëherë, çmimi është dhënë 56 herë për një total prej 96 laureatësh. Vetëm tre nga fitueset kanë qenë gra.