Puna për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Kulturën 2026-2030 rikthen në vëmendje problemet me të cilat përballet edhe Skena e Pavarur Kulturore në vend. Andi Tepelena bashkëthemelues dhe aktivist i Skenës së Pavarur Kulturore thotë se arti dhe kultura janë ende shumë larg një vullneti politik për ti bërë ato sektorë prioritarë, ndërsa si përfaqësues të SPK-së ishin në takimin pak ditë më parë për Strategjinë e re Kombëtare të Kulturës edhe për të kërkuar çfarë ishte bërë me kërkesat e tyre. Në intervistën për gazetën “SOT” Andi Tepelena flet për vështirësitë që karakterizon sektorin e profesionistëve të kulturës, që prodhojnë jashtë sistemit shtetëror, por sipas tij duhet dhe rishikim i ligjit nr. 10 352, datë 18.11.2010 “Për Artin dhe Kulturën”, pasi është tejet i rënduar burokratikisht dhe jo funksional në praktikë. Andi Tepelena sjell sërish në vëmendje dhe çështjen e rikthimit të QKAK ( Qendra Kombëtare e Arteve dhe Kulturës), që sipas tij duhej të funksionojë sipas modelit anglez të Këshillit Britanik të Arteve. Skena e Pavarur Kulturore në vend përballë problemeve në fushën e artit dhe kulturës ka shprehur edhe më parë vërejtje për ligjin e artit. Në vitin 2018 erdhi dhe marrëveshja që u nënshkrua mes përfaqësuesve të SPK-së dhe atyre të Ministrisë së Kulturës, që synonte një bashkëpunim dhe përfshirjen jo vetëm për ligjin e ri të artit dhe kulturës, por edhe iniciativa të tjera, që preknin fushën e zbatimit ku operon skena e pavarur, e cila mbeti në letër.
-Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026-2030 ishte në qendër të forumit të mbajtur këto ditë në mjediset e ish-Kinostudios dhe që bëri bashkë aktorë të fushës së artit dhe kulturës nga skena e pavarur, institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë. Ju si bashkëthemelues dhe aktivist i Skenës së Pavarur Kulturore dhe të tjerë nga SPK ishit të pranishëm në këtë takim për punën me hartimin e Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës 2026-2030. Çfarë mund na thoni mbi vështirësitë, që përballet sot skena e pavarur?
Të ftuar në Forumin për Strategjinë Kombëtare të Kulturës, si aktivistë të Skenës së Pavarur Kulturore ngritëm shqetësimin për sfidat dhe vështirësitë, që karakterizon sektorin e profesionistëve të kulturës, që prodhojnë jashtë sistemit shtetëror, por që përpiqet ti japë publikut një ofertë artistike kulturore të ndryshme dhe inovative nga ajo çka prodhon sektori shtetëror i artit dhe kulturës në Shqipëri. Një ofertë që synon të nxisë dhe plotësojë nevoja të konsumit kulturor alternative nga oferta shtetërore, por në të njëjtën kohë synon t’a bëjë artin dhe kulturën asetin më të rëndësishëm për ruajtjen dhe konsolidimin e identitetit kombëtar, forcimin e vlerave të demokracisë, nxitjen e aktivizmit, punësimin në sektorin e ekonomisë krijuese dhe bërjen e artit dhe kulturës faktor zhvillimi ekonomik, rritjen e kapaciteve dhe punësimin në industrinë krijuese dhe turizmin kulturor. E natyrisht në këto kohë sfidash të natyrës strukturore dhe financiare që përballet Skena e Pavarur Kulturore, ku arti dhe kultura janë ende shumë larg një vullneti politik për ti bërë ato sektorë prioritarë, ishim aty për të kërkuar çfarë ishte bërë me kërkesat tona për një paketë masash në gjendje të incentivojnë start upe dhe sipërmarrjen kulturore dhe të ulin barrën fiskale. Janë pak a shumë kërkesat, që i kemi parashtruar në Manifestin e Skenës së Pavarur Kulturore i konsultuar me grupe interesi, artistë, profesionistë e aktivistë të Skenës.
-Në reagimet tuaja herë pas here si bashkëthemelues i Skenës së Pavarur Kulturore dhe aktivist, ju jeni shprehur dhe për Qendrën Kombëtare të Arteve dhe Kulturës. Sipas jush mbi çfarë modeli duhet të funksionojë kjo qendër?
Në Forumin për Strategjinë Kombëtare të Kulturës krahas shqetësimeve që shpreha ne ngritëm sërish çështjen e rikthimit të QKAK ( Qendra Kombëtare e Arteve dhe Kulturës) që do të funksiononte sipas modelit anglez të Këshillit Britanik të Arteve, dhe në thelb konsiston në një pavarësi të vlerësimit të projekteve artistike nga politikbërja, por që u mbyll në mënyrë arbitrare dhe anti kushtetuese nga ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
-Një nga kritikat tuaja më parë ka qenë dhe mungesa e konsultimeve me përfaqësues të Skenës së Pavarur Kulturore sa i takon hartimit të paketave fiskale që shoqërojnë buxhetet vjetore, ndërsa statusi i artistit vijon një kërkesë prej vitesh në drejtim të Ministrisë së Kulturës, çka kërkon dhe rishikim të ligjit aktual të artit. Ku i shikoni problematikat në ligj?
Në kërkuam në bazë të ligjit mbi konsultimin publik, konsultime me Skenën e Pavarur në lidhje me prioritet dhe propozimet tona kur hartohen paketat fiskale, që shoqërojnë buxhetet vjetore. Gjithashtu në këtë forum ngritëm sërish si shqetësim çështjen e “statusit të artistit”, që nuk ka tjetër si qëllim formalizmin e kategorive të artistëve të pavarur dhe profesionistëve freelance, që vazhdon të mbetet kaotik dhe i parregulluar me ligj. Dhe në këtë aspekt ka nevojë të rishikohet i gjithë ligji nr. 10 352, datë 18.11.2010 “Për Artin dhe Kulturën”, i ndryshuar, i cili është tejet i rënduar burokratikisht dhe jo funksional në praktikë.
-Ndërkohë që përballë asaj çfarë reklamojnë institucionet për muzetë në vend, për ju vijon të jetë ende një sektor i prapambetur. Kur shpreheni për reformim në këtë sektor, çfarë keni parasysh?
Një reformim të plotë sektorit muzeal në Shqipëri, një sektor i prapambetur si në formë, dhe në përmbajtje, që nuk po përshtatet me metodologjinë e menaxhimit bashkëkohor të muzeve në rajon dhe Europë. E natyrisht mbështesim dhe shqetësimet e administratave të muzeumeve, që me të drejtë kërkojnë pavarësi të plotë financiare në përfitimin e të ardhurave nga biletat dhe aktivitete dytësore. Sot muzeumet janë një nga sektorët më të rëndësishëm të edukimit të brezave, por dhe turizmit, ndërkohë mbi toka dhe nëntoka në Shqipëri ndonëse ka një histori të jashtëzakonshme për nga vlerat autentike, muzetë tona, në shumicë dërrmuese, vijnë ende era myk komunizmi për nga infrastruktura dhe atraktiviteti dhe aftësia për të nxjerrë në pah këto vlera.
-Financimi i artit dhe kulturës ka qenë një prej çështjeve, që si përfaqësues të Skenës Pavarur Kulturore apo dhe artistë të tjerë në institucionet e artit kanë shprehur vërejtje për kufizimet që vijnë nga mosfinancimi i duhur. Në këtë takim për Strategjinë Kombëtare për Kulturën 2026-2030, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ju u shprehët se vendi jonë renditet i fundit në rajon sa i takon financimit të kulturës. Çfarë mund të thoni më shumë rreth financimit?
Mbi të gjitha kërkuam atë që kemi kërkuar, që kur një grup profesionistësh dhe artistësh të pavarur krijoi Skenën e Pavarur Kulturore (SPK) në vitin 2013, financimin e kulturës në nivelin jo më pak 1 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërkohë sot diku tek 0,5-0.6 për qind i PBB-s, buxhet që e rendit Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë. Por kjo natyrisht kërkon vizion dhe vullnet politik. Ne si profesionistë të Skenës do të bëjmë më të mirën tonë për përafrimin me standarted e Bashkimit Europian të parashikuar në kapitullin 26 që lidhet drejtpërdrejtë me artet dhe kulturën.
Intervistoi: Julia Vrapi
Andi Tepelena: Arti dhe kultura janë ende shumë larg një vullneti politik për ti bërë ato sektorë prioritarë
