Izraeli ka njoftuar kohën kur pritet lirimi i pengjeve nga Hamasi.
Zëdhënësja e qeverisë së vendit, Shos Bedrosian, tha se të gjithë pengjet e gjallë pritet të lirohen në orët e para të së hënës (nga ora 4 deri në 6 të mëngjesit).
Fillimisht, ata do të vendosen nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq dhe më pas do të transferohen në Izrael.
Më vonë, siç njoftoi qeveria izraelite, Hamasi do të dorëzojë trupat e 28 pengjeve të vdekur, megjithatë, organizata palestineze sqaroi se nuk mund të përcaktojë kohën e saktë se kur do të përfundojë ky proces, pasi gjetja e tyre mund të kërkojë kohë.
Nëse Hamasi nuk arrin të gjejë trupat e disa prej pengjeve, një komitet ndërkombëtar do të ndihmojë në gjetjen e tyre, tha Bedrosian.
“Një organizatë ndërkombëtare, e cila u dakordësua me këtë plan (armëpushim), do të ndihmojë në gjetjen e pengjeve nëse ata nuk gjenden dhe lirohen nesër”, tha ajo, duke shtuar: “Kryeministri këmbëngul që ne do të veprojmë për të gjetur të gjithë këta pengje sa më shpejt të jetë e mundur, dhe ne do ta bëjmë këtë si një detyrë të shenjtë të përgjegjësisë së përbashkët. Të 48 pengjet tona do të kthehen në Izrael, qofshin gjallë apo të vdekur.”
Dy orë para lirimit të pengjeve të gjalla, Kryqi i Kuq do t’u ofrojë autoriteteve izraelite informacion përkatës.
Bedrosian tha gjithashtu se asnjë aktivitet propagandistik nuk do të mbahet nga Hamasi në kohën e lirimit të pengjeve.
Në lirimet e mëparshme, organizata palestineze mbajti ceremoni para turmave përpara se t’ia dorëzonte njerëzit që kishte rrëmbyer Kryqit të Kuq, si të gjallët ashtu edhe të vdekurit./vizionplus.tv

Leave a Reply