Donald Trump tha se Hamasi aktualisht po përgatitet për t’i dorëzuar Izraelit pengjet pas marrëveshjes historike të paqes të firmosur mes Izraelit dhe Palestinës.
Ky zhvillim shënon hapin e parë në zbatimin e një armëpushimi në Gaza pas më shumë se dy vitesh lufte.
Sipas marrëveshjes, Hamasi do të lirojë rreth 20 pengje izraelite deri të hënën, ndërsa Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë dhe 1,700 persona që u arrestuan në Gaza gjatë dy viteve të fundit pa akuza.
Trump tha se disa nga pengjet po “mbaheshin në kushte jashtëzakonisht të vështira”, duke shprehur optimizëm se shkëmbimi do të përfundonte “i sigurt”.
Pas armëpushimit, Izraeli tërhoqi pjesërisht trupat e tij nga Gaza
Komanda ushtarake izraelite njoftoi se forcat e saj kishin “ndërprerë operacionet” me qëllim lehtësimin e procesit të shkëmbimit dhe kthimin e pengjeve.
Pentagoni konfirmoi disa orë më vonë se Izraeli kishte përfunduar fazën e parë të tërheqjes, duke ruajtur kontrollin mbi rreth 53% të territorit palestinez.
Me fillimin e armëpushimit, dhjetëra mijëra palestinezë filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre të shkatërruara në Gazën veriore, një zonë që është pothuajse rrafshuar nga bombardimet izraelite. Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Bassal, tha se rreth 200,000 banorë ishin kthyer në shtëpitë e tyre që nga e premtja.
BE njoftoi se misioni i saj në pikën kufitare Rafah midis Gazës dhe Egjiptit do të rihapet më 14 tetor, me qëllim lehtësimin e kalimit të civilëve dhe ndihmës humanitare.
Kushtet e shkëmbimit
Marrëveshja përcakton që procesi i shkëmbimit do të zhvillohet “pa ceremoni publike ose mbulim mediatik”.
Në të kaluarën, dorëzimi i pengjeve është mbikëqyrur nga Kryqi i Kuq, i cili transportoi pengjet e liruara në Izrael.
Organizata bëri thirrje që shkëmbimet të kryhen “me respekt dhe siguri”, duke shmangur skenat e kaosit që kanë ndodhur në rastet e mëparshme kur Hamasi ka shkëmbyer pengje publikisht.
Lista e të burgosurve që do të lirohen nga Izraeli përfshin kryesisht anëtarë të Hamasit dhe Fatahut, shumë prej të cilëve janë dënuar për sulme kundër ushtarëve ose civilëve izraelitë.
I burgosuri më i vjetër është anëtari 64-vjeçar i Fatahut, Samir Abu Naama, i cili u arrestua në vitin 1986 në Bregun Perëndimor për vendosjen e eksplozivëve. Më i riu është 18-vjeçari Mohamed Abu Qatish, i cili u arrestua në vitin 2022 në moshën 16 vjeçare për tentativë therjeje me thikë.
Mesazhi i Netanyahut
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi marrëveshjen, duke thënë se “dy vjet pas ditës së zezë të 7 tetorit, ka ardhur koha për kthimin e vëllezërve tanë”.
Në një deklaratë, ai theksoi: “Këtë herë, festa e Simchat Torah do të jetë një ditë gëzimi kombëtar, dita kur populli ynë do të kthehet në shtëpi”./vizionplus.tv

Leave a Reply