Vlerësimi për artistët, buxheti për kinematografinë apo dhe restaurimi i filmave shqiptarë janë disa nga problemet, që shpreh aktori i njohur Nikolla Llambro. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori Nikolla Llambro thotë se restaurimi i filmave është një proces i rëndësishëm, duke sjellë në vëmendje dhe premierën e restauruar të filmit “Liri a vdekje” disa kohë më parë në Tiranë. Në këtë film aktori luan rolin e Zenan Mahskullorës dhe thotë se “Liri a vdekje ”, si nga pikëpamja historike edhe nga pikëpamja artistike ka rëndësi të veçantë. Aktori thotë se buxheti për instucionet e artit në vend duhet rritur nga Ministria e Kulturës dhe shprehet edhe për vështirësitë, që ka sot xhirimi i filmave. Sipas tij regjisorë të talentuar për shkak se nuk kanë buxhet mbajnë skenarët në sirtarë. Aktor i njohur i shumë roleve në teatër dhe filma në Shqipëri para ’90-tës, Nikolla Llambro arriti edhe në Greqi të bëjë emër si aktor. Sot është imazh edhe i shumë reklamave atje. Por sa i takon vlerësimit për artistët në Shqipëri, aktori shpreh kritika. Ai thotë se nga shteti shqiptar mungon vlerësimi për artistët që e meritojnë.
– Në aktivitetin artistik ju keni realizuar dhjetëra role në teatër dhe kinematografi. Ju ishit i pranishëm edhe në premierën e restauruar të filmit “Liri a vdekje” pak kohë më parë në Tiranë. Filmi është me skenar të shkrimtarit Vath Koreshi dhe regji të dy regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Si një nga aktorët me rol në këtë film xhiruar në vitin 1978, çfarë i kishte sjellë restaurimi filmi?
Filmi “Liri a vdekje ” si nga pikëpamja historike edhe nga pikëpamja artistike ka rëndësi të veçantë. Në premierën e filmit të restauruar në Tiranë në sallë takova edhe regjisorin e shquar Mevlan Shanaj dhe m’u duk se ishte i emocionuar. Dukej qartë që filmi i kishte lënë mbresa shumë. Procesi i restaurimit në filma është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe një detyrë e rëndësishme patriotike për ne krijuesit, për arkivin, për të gjithë ata që merren me filmat, që prodhime kinematografike të asaj kohe duhen shpëtuar nga shkatërrimi. Filmat para vitit 1990 janë xhiruar me film orvo që nuk ishte në mundësinë e kodakut, sepse kaq mundësi kishte shteti atë kohë dhe prodhoheshin shumë filma artistikë e dokumentarë. Duke u xhiruar me film orvo me kohën filluan të humbasin jo vetëm freskia e cilësia, por dhe ngjyrat e filmave të asaj kohe kur i shikonim ishin bastarduar. Ndaj restaurimi është jashtëzakonisht i domosdoshëm për të gjithë filmat me probleme, sepse filmat shqiptarë janë një pasuri kombëtare.
-Restaurimet e filmave siç është bërë me dije dhe më parë janë edhe në bashkëpunime. Kur flasim për pjesën e buxhetit, ju si e shikoni rolin e shtetit?
Shteti jonë akoma me sa di nuk ishte në gjendje që të ketë atë teknikë, atë eksperiencë që duhet për të restauruar një film sa më shpejt dhe me kosto sa më të ulët. Arkivi i Filmit në këtë drejtim ka bërë një punë të mrekullueshme. Mua nuk më intereson nëse filmat i restaurojnë jashtë, por rëndësi ka që shteti në ato ndarjet e buxheteve që bën sidomos për kulturën, Ministria e Kulturës duhet patjetër të llogarisë një buxhet që është i konsiderueshëm, madje i madh për të restauruar filmin. Brezi që do të vijë do na lavdërojë, jo të na kritikojë. Mjaft janë shkatërruar filmat.
– Shfaqja e filmave të realizuar para viteve 1990 në vend ka sjell herë pas here dhe një debat mbi mënyrën se si duhen shfaqur ata, kjo ka vijuar edhe në komision parlamentar. Ju i konsideroni filmat pasuri kombëtare, çfarë mund të na thoni?
Kjo është një censurë, një absurditet. Populli është në gjendje që të zgjedhë dhe të gjykojë. Filmat para viteve 1990 nuk do të vijnë më. Atëherë pse duhen bërë këto që thuhen herë pas here sot për filmat e asaj kohe. Po të pyesësh një 20 vjeçar sot e ka të qartë. Ajo ishte histori e popullit shqiptar. Nëse ndërron një sistem, duhet të vijë dhe të bëjë po atë që ka bërë më përpara ish qeveria para ‘90? Çfarë janë këto që thuhen sot për filmat, të shfaqen a jo, të shfaqen në mënyrë të kontrolluar, etj. Filmat që prodhoheshin dikur në Kinostudio kalonin në një filtër deri në komitetin qëndror, deri në byronë politike. Një byro tjetër po na lind për censura. Jemi në demokraci, kushdo do të jetë i lirë të gjykojë ashtu si e shikon, si e mendon. Nuk e prano, mos e prano mbyll televizorin, por nuk ke të drejtë të vësh censurë. Jemi në demokraci, jemi në gjykim të lirë.
-U bë një takim që pati të pranishëm dhe artistë, drejtues të institucioneve, etj, mbi strategjinë kombëtare për kulturën 2026-2030. Për ju kjo strategji, çfarë duhet të synojë?
Ajo që është e dhimbshme për ne aktorët është se buxhetet për xhirimin e filmave janë për të qarë hallin. Nuk jepen para. Filmi nuk bëhet pa para. Që të fitosh një cilësi të mirë të një filmi të bukur që të konkurrojë në arenën ndërkombëtare të festivaleve duhen para. Iu është lënë e drejta dhe mundësia dhe nevoja që regjisorët të krijojnë skenarë vetë. Kjo është mangësi edhe e punës së Ministrisë së Kulturës, që nuk ka një studio, të gjejnë njerëzit që kanë prirje për skenaristë. Kinostudio në atë periudhë kishte të emëruar skenaristë që ishin shkrimtarë. Të njëjtën gjë mund të bëjë Ministria e Kulturës, të ketë disa skenaristë, të cilët të paguhen dhe të jenë të lirë dhe të krijojnë skenarë. Tani regjisori bën skenarin, bëhet producent, i bën të gjitha. Nuk ka mundësi. Vetëm në raste të rralla mund të arrihet një kulm cilësor kur të gjitha punët i bën një njeri ose një grup i vogël njerëzish. Këtu duhet shteti, jo për kontroll, por për ndihmesë, financim. Mua më vjen keq që regjisorë shumë të mirë kanë në sirtarë skenarë dhe nuk iu jepet buxhet për ti xhiruar. Kristaq Mitro një regjisor i talentuar që ka bërë filma me Ibrahim Muçajn, para se të ndahej nga jeta kishte një skenar të Roland Gjozës, që ishte një mrekulli, një trajtim modern i filmit shqiptar. Ai u përjashtua nga bordi, nuk iu dha buxheti për xhirimin. Shteti të ndihmojë regjisorët e talentuar të bëjnë filma shumë të mirë. Kanë bërë një propozim para Covid, për “Mjeshtër i Madh” nga Ambasada e Shqipërisë këtu në Athinë. Ministria e Jashtme e përcolli në Presidencë dhe aty humbi, pa dhënë një përgjigje pse s’u aprovua.
– Aktor i njohur i shumë roleve para 1990 në teatër dhe filma në Shqipëri, ju arritët edhe në Greqi të bëni emër si aktor. Aktiviteti juaj artistik në vend me dhjetra role në filma dhe teatër. Sa jeni vlerësuar nga shteti shqiptar?
Kur një aktor që ka aktivitet dhe që i ka dhënë edhe Shqipërisë, por që nuk vlerësohet ashtu si duhet atëherë ai fillon edhe pezmatohet, i humb shpirti kur shikon kolegë, që kanë më pak veprim artistik dhe janë vlerësuar maksimalisht. Unë kam rreth 70 role nga të cilët 35 role janë teatër, sidomos në teatrin e Gjirokastrës, ku shumë nga ato kanë hyrë në fondin e artë të teatrit. Dhe me rolin Mato Gruda te filmi “Njeriu me top” në festival në 1978 kam marrë vlerësimin si “Aktori më i mirë i festivalit”. Ndër këtë deri sa ika në 1990, nga Ministria e Kulturës nga Shqipëria kam vetëm një distiktiv që jepej atëherë si stimul për 40 vjetorin e Çlirimit, që ma ka dhënë kryetari i bashkive profesionale të institucionit. Më në fund kur u bë 50 vjetori i teatrit në Gjirokastër në pesë aktorët që ishin caktuar për t’u bërë “Mjeshtër i Madh” mua dhe Viktor Caros na u hoq emri dhe nuk e morëm titullin. Kohët e fundit më nderuan me titullin “Qytetar nderi i Gjirokastrës”. Pas 50 vitesh më vlerësuan si qytetar nderi. Kanë bërë një propozim para Covidit, për “Mjeshtër i Madh” nga Ambasada e Shqipërisë këtu në Athinë. Ministria e Jashtme e përcolli në Presidencë dhe aty humbi, pa dhënë një përgjigje pse nuk u aprovua. Në Greqi unë kam role, kam punuar me Qipron, me Poloninë, me Gjermaninë, kam rreth 25 reklama të suksesshme dhe akoma luhej njëra deri vjet, plus 22 role në filma, në televizion dhe në teatër, si dhe mora çmimin e parë si aktori më i mirë në festivalin ballkanik me filmin grek “Maria”. Nga Shqipëria unë nuk kam asgjë dhe jam shumë i pezmatuar. Në Greqi unë jetoj që nga nëntori 1991. Në periudhën para 90-tës kam kritikuar e kundërshtuar fenomenet, që dëmtonin ecurinë e cilësinë e teatrit. Pas 90-tës kam kritikuar e kritikoj fenomenet negative të shoqërisë, që fërkojnë artin dhe cilësinë e demokracisë. Pra unë Nikolla Llambro, para 90-tës për instancat drejtuese isha i thartë, ndërsa pas 90-tës me sa duket nga trajtimi jam i hidhur. Veç kur studiova jetën e Çerçiz Topullit para xhirimeve të filmit “Liri a vdekje”,Çerçizi thoshte: “-Që ditën që kam lerë, as jam shitur, as jam blerë!”. Kjo thënie perlë e Heroit tonë Kombëtar u bë lajtmotivi i jetës sime! Nikolla Llambro as është shitur, as është blerë dhe as do shitet, as do blihet deri sa të kem frymë! Deri sa të rroj do luftoj për lirinë, artin, atdheun dhe popullin tim!
-Gjatë këtyre viteve, çfarë mund të na thoni në vijim të aktivitetit artistik?
Pas krizë në vitin 2005 këtu pothuajse pati vështirësi në të gjitha aspektet e jetës, por më shumë ekonomike, ra edhe aktiviteti artistik. Në atë periudhë ishte e vështirë, por unë nuk harroj që jam emigrant pavarësisht se në tregun artistik isha i konsiderueshëm dhe i vlerësuar, por kur vjen puna e di që radha ime nuk është e para, por jo nga ata që teprojnë. Që atëherë u krijua një boshllëk në aktivitetin tim. Pas Covid kam ca vështirësi shëndeti, që nuk janë optimale që të aktivizohem dhe ndaj kam refuzuar punë cilësore, që më kanë pëlqyer dhe në teatër edhe në televizion. Ndërsa në Shqipëri kam xhiruar filma me regjisorë si Edmond Budina dhe Robert Budina.
Intervistoi: Julia Vrapi
Nikolla Llambro: Nga shteti shqiptar mungon vlerësimi për artistët që e meritojnë
