“Netët e Filmit Shqiptar” në Prishtinë, shfaqet filmi “Koncert në vitin 1936”

Filmi “Koncert në vitin 1936” me regji nga Saimir Kumbaro u shfaq në Prishtinë. Ambasada e Shqipërisë në Kosovë zhvilloi mbrëmjen e dytë të ciklit kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe me mbështetjen e Kino Armata. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj në fjalën e tij të mirëseardhjes, theksoi rëndësinë e kësaj nisme që sjell më afër publikun filmdashës dhe nxënësit e shkollave në Kosovë me trashëgiminë tonë të pasur kinematografike, me gjuhën dhe kulturën shqipe që na bashkojnë.
“Në këtë mbrëmje u shfaq filmi klasik “Koncert në vitin 1936” i regjisorit të mirënjohur Saimir Kumbaro, një krijim që mbetet dëshmi e shpirtit dhe historisë sonë. Faleminderit të gjithëve që u bashkuan në këtë udhëtim të bukur artistik, që ndërton ura midis brezave dhe forcon lidhjet vëllazërore dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës”, shprehet ambasadori Malaj. Filmi, “Koncert në vitin 1936” me regji nga Saimir Kumbaro  u shfaq në versionin e tij të restauruar. Filmi “Koncert në vitin 1936” u restaurua më parë në mënyrë digjitale nga Quality Matters, me bazë në Mumbai, Indi nga një ekip restauruesish udhëhequr nga Koushik Prassanta Bhattacharya. Skanimi i elementit origjinal negativ i figurës u krye në Kinematekën e Malit të Zi. Më regji nga Saimir Kumbaro, skenari është shkruar nga Kiço Blushi. Operator Saim Kokona, kompozitor Limos Dizdari. Në role janë aktorët Manushaqe Qenami, Margarita Xhepa, Bep Shiroka, Robert Ndrenika, Gjon Karma, Roland Trebicka, Nikolla Llambro, Albert Verria, Ilia Shyti, Mirush Kabashi, Enver Dauti.
“Koncert në vitin 1936” është prodhim i vitit 1978. Filmi, që tregon historinë e dy interpretueseve, të cilat vizitojnë qytetet e vogla provinciale të Shqipërisë së vitit 1936 pas restaurimit u shfaq më parë edhe në Tiranë e Libohovë.