“PD parashikoi anulimin e zgjedhjeve”/ Zhvillimet politike, reagon analisti: PS-së i intereson ngërçi në bashkinë e…

Analisti Ben Andoni, i ftuar në një studio televizive, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, me fokus të veçantë situatën e pazakontë në Bashkinë e Tiranës pas pezullimit të zgjedhjeve. Sipas Andonit, pezullimi i procesit zgjedhor nuk i dëmton socialistët, madje sipas tij, atyre u shkon për shtat situata e krijuar.
“Bashkia e Tiranës besoj se do mbetet në ngërç, socialistët janë mirë edhe me ngecjen e procesit për zgjedhje,” u shpreh analisti.
Ai hodhi dyshime se në kryeqytet do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, duke vënë në dukje se situata ligjore dhe politike që përfshin ish-kryebashkiakun Erion Veliaj do të rëndohet më tej me nisjen e proceseve gjyqësore ndaj tij. “Tani që Veliaj i nis kalvari i gjyqit, unë besoj se do ta ketë shumë të vështirë,” shtoi Andoni.
Duke folur për drejtësinë në vend, Andoni u tregua mjaft kritik ndaj reformave të ndërmarra gjatë këtyre dekadave, duke i konsideruar si të dështuara. Në lidhje me kandidaturën e pavarur të Florjan Binajt, i mbështetur nga opozita, Andoni u shpreh se PD ishte e vetëdijshme për pezullimin e mundshëm të procesit dhe ndaj zgjodhi një figurë jashtë politikës.
“Besoj se PD e dinte që kjo do të ndodhte dhe ndaj mbështeti kandidatin e vetëpropozuar dhe nuk nxori një kandidat politik të vetin.”
Megjithatë, ai vlerësoi guximin e figurave të reja që marrin përsipër sfida të tilla, por shtoi se Tirana, për shkak të kompleksitetit të saj, nuk është terren për eksperimente.
“Çdo fytyrë e re që merr përsipër angazhime të tilla është për t’u mbështetur, por kryeqyteti ka problematikë të tillë që nuk mund të eksperimentohet me një figurë që nuk njeh qytetin. As Veliaj nuk e njihte mirë qytetin.”
Në përfundim, Andoni theksoi se Tirana ka personalitete me integritet dhe respekt publik, por problemi qëndron tek mungesa e mbështetjes ndaj tyre.
“Tirana ka personalitete, individë që gëzojnë respektin e të tjerëve, por nuk i mbështesin.”