Manastirliu takim me bluzat e bardha: Tirana sociale, më shumë shërbime për familjet dhe komunitetin

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, u takua me mjekë dhe infermierë, si një nga grupet e interesit, për të diskutuar rolin që ka bashkia në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Duke vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën e bluzave të bardha, për rolin e tyre si profesioniste, gra e nëna ajo tha se Tirana duhet të zhvillohet si një qytet social, ku çdo projekt i ri të ketë në qendër nevojat e fëmijëve, të moshuarve dhe familjeve.
“Tirana sociale është në themel të çdo pune që bëhet në Tiranë. Qoftë në infrastrukturë, në ndërtim, fokusi do të jetë te ndikimi që ka te fëmijët, te të moshuarit, te familjet. Do të kemi vëmendjen për të plotësuar nevojat e një komuniteti që zhvillohet, që është në rritje, që kërkon dhe beson te shërbimet publike, në çerdhe, kopshte, shkolla që kemi në plan për të rritur numrin e tyre”.

Manastirliu u shpreh se pushteti vendor mund të bëjë më shumë për përmirësimin e shërbimeve sociale, duke ngritur qendra të posaçme për kategoritë me nevoja specifike.
“Bashkia mund të bëjë më shumë për shërbimet sociale, sidomos për personat me aftësi ndryshe. Kemi nevojë të hapim më shumë qendra për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe për të mbështetur familjet e tyre. Ndaj jemi të angazhuar për të ngritur një rrjet të strukturuar dhe solidar për mbështetje, që nga kopshti e më tej, për t’i integruar në jetën sociale.”
Po ashtu, një pjesë e rëndësishme e programit është përmirësimi i pastrimit të qytetit, me riorganizimin e mbledhjes së mbetjeve dhe pastrimin e çdo rruge e çdo kontenieri, për një Tiranë më të pastër dhe më të shëndetshme