Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë për muajin gusht dhe arriti nivelin më të lartë të vitit 2025. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky raport u rrit në 4.19%, nga 4.04% që kishte qenë për muajin korrik. Me bazë vjetore, ky raport ngelet ende në rënie. Një vit më parë, kreditë me probleme përbënin 4.61 të portofolit.Edhe të dhënat e muajit gusht konfirmojnë qartë se tendenca rënëse e raportit të kredive me probleme me probleme është frenuar gjatë vitit 2025, megjithëse për momentin ende nuk mund të flitet për një cikël të mirëfilltë rritës të tyre.Sidoqoftë, ecuria e treguesit konfirmon shqetësimet e lidhura me rritjen shumë të shpejtë të kredisë në dy vitet e fundit. Në fund të muajit gusht, portofoli i kredisë për ekonominë kaloi kufirin e 900 miliardë lekëve. Rritja vjetore e portofolit është ngadalësuar lehtë krahasuar me vitin 2024, por sidoqoftë ngelet në ritme dyshifrore dhe pranë niveleve më të larta në 16 vitet e fundit.Megjithëse portofoli i kredisë ka vazhduar rritjen me ritme dyshifrore edhe gjatë vitit 2025, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien, duke sinjalizuar një rritje në stokun e kredive të këqija. Mund të vlerësohet se stoku i kredive me probleme është rreth 37.7 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 37.5 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga fillimi i këtij viti, stoku i kredive me probleme është rritur me 8%.Banka e Shqipërisë është shprehur veçanërisht e shqetësuar për rritjen e shpejtë për kredisë në segmentin e pasurive të paluajtshme. Në mesin e këtij viti, nisi edhe aplikimi i disa masave kufizuese në treguesit e administrimit të riskut të lidhura me huadhënien në këtë segment. Banka qendrore u ndaloi bankave financimin e blerjes së banesave në masën 100% dhe përcaktoi gjithashtu kritere të detyrueshme për raportin e këstit të kredisë ndaj të ardhurave (duke lejuar sidoqoftë një marzh përjashtimi prej 15% nga kufizimet e mësipërme).Raporti i Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të vitit tregoi se sektori bankar ka regjistruar më shumë kredi të reja me probleme për këtë periudhë. Fluksi vjetor i kredive të reja me probleme ishte sa 1.9% e kredive të rregullta, nga 1.7% dhe 1.8% një gjashtëmujor dhe një vit më parë.Burimi: Banka e ShqipërisëKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Raporti i kredive me probleme rritet lehtë, arrin nivelin më të lartë për 2025
