Kreditë e ristrukturuara pësuan rënie në gjysmën e parë të këtij viti

Kreditë e ristrukturuara nga sektori bankar pësuan rënie në gjysmën e parë të vitit.Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, kredia e ristrukturuar gjatë 6-mujorit të parë 2025 ishte rreth 1.25 miliardë lekë. Kjo shumë përbën afërsisht 1% të fluksit të kredisë së re të periudhës dhe rreth 3.5% e stokut të kredive me probleme.Vlera e kredive të ristrukturuara ishte në rënie me 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Portofolet e prekura nga ristrukturimi i kredisë lidhen me kreditë në Lekë dhe valutë për sektorin e biznesit. Forma kryesore e ristrukturimit e kërkuar nga klientët dhe e miratuar nga bankat ishte zgjatja e afatit të maturimit.Në një krahasim më afatgjatë, rezulton se fluksi vjetor i kredisë së ristrukturuar është zvogëluar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Vlera e kredisë së ristrukturuar gjatë gjashtëmujorit të parë 2025 është sa 23% e vlerës së kredisë së ristrukturuar në të njëjtin gjashtëmujor të vitit 2021.Fakti që ristrukturimet në vitet e fundit kanë pësuar rënie është një tregues se aftësia paguese e huamarrësve në përgjithësi ka qenë e mirë dhe premisat për rritje të kredive me probleme ngelen të ulëta.Mekanizmi i lehtësimit të ristrukturimeve ka qenë ndër masat që Banka e Shqipërisë ka aplikuar gjatë periudhave me rreziqe të shtuara për rritje të kredive me probleme, siç ishte pandemia.Madje, pas rritjes së shpejtë të normave të interesit në vitin 2022, lehtësimi i ristrukturimeve ishte një nga masat rezervë për tu aplikuar, në rast se sektori financiar do të përballej me një rritje të kredive me probleme. Megjithatë, aplikimi i masave të posaçme nuk rezultoi i nevojshëm, edhe për shkak të amortizimit të shpejtë të efekteve të rritjes së interesave dhe fillimit të rënies së tyre, në 2024.Sipas të dhënave më të fundit, në korrik 2025 raporti i kredive me probleme ishte nivelin 4%, në rënie krahasuar me nivelin 4.7% të një viti më parë dhe në nivele të përafërta me fundin e vitit të kaluar. Megjithëse stoku i kredive me probleme është rritur gjatë pjesës së parë të vitit, rritja e shpejtë e portofolit të kredisë ka bërë që raporti i kredive të këqija të jetë i qëndrueshëm.Kuadri i Bankës së Shqipërisë për administrimin e rrezikut të kredisë së bankave parashikon që, në rast se një kredi ristrukturohet, ajo duhet të klasifikohet automatikisht si kredi me probleme, edhe në rastet kur ajo është shlyer rregullisht deri në momentin e ristrukturimit.Rregullorja kërkon që në vazhdim kredia e ristrukturuar duhet të mbajë statusin e kredisë me probleme për të paktën gjashtë muaj, kohë gjatë të cilës duhet provuar se huamarrësi ka qenë në gjendje të shlyejë rregullisht pagesat pas ristrukturimit./ E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.